Arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret të Maqedonisë, Vladimir Atanasovski

Shkup, 5 dhjetor 2018 – Një gjykatë në Shkup ia shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ish-drejtoritë shërbimit sekret maqedonas, Vladimir Atanasovski.

Ai akuzohet për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit 2017 në parlamentin e Maqedonisë.

Atanasovski u arrestua të martën mbrëma pas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga dy vëllezërit Mlladenovski, të cilët drejtuan gishtin kah ish-shefi i shërbimit sekret, si organizator i atyre ngjarjeve.

Atanasovski ngarkohet për veprën penale “bashkim me qëllim të veprimit armiqësor”, për çka ligjet e vendit parashikojnë dënim me burg së paku prej katër vjetësh.

Prokurorja Vilma Ruskovska i tha medies se kishte kërkuar arrestimin e Atanasovskit për shkak të mundësisë së arratisjes së tij, ushtrimit të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Dy vëllezërit të cilët dëshmuan në procesin gjyqësor, të cilë janë të akuzuar në këtë proces, thanë se planin e kishte përgatitur dhe zbatuar ish-shefi i shërbimit, së bashku me Aleksandar Vasilevskin – Ninxha, “i cili kishte pasur mbështetje të plotë logjistike nga strukturat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim”, siç njihet shërbimi sekret maqedonas “dhe nga ish-zëvendës-shefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e punëve të brendshme, Nikolla Boshkovski”, i cili është arratisur prej muajsh dhe ndodhet në Greqi, ku ka kërkuar strehim.

Vladimir Atanasovski qe emëruar drejtor i shërbimit sekret në vjeshtën e 2016-s pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit nga detyra, kur filluan dhe hetimet për dhunën në parlament. Atanasovski aktualisht ishte i angazhuar si këshilltar për çështjet e sigurisë në kabinetin e kryetarit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Hetimet pritet të zgjerohen, ndërsa prokuroria nuk dha hollësi të tjera.

Nga ana tjetër, pushteti dhe tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja po përgatisin një projekt-ligj për faljen e një kategorie personash të cilët akuzohen për përfshirje në dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar. Pesë deputetë të VMRO-së janë në listën e të akuzuarve. Pritet që do të falen ata të cilët ishin pjesë e turmës që hyri me forcë në parlament, deputetët e akuzuar gjithashtu, por jo organizatorët dhe ata të cilët ushtruan dhunë të drejtpërdrejtë.

(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)

Comment

*