Arrestohet Steve Bannon, ish-kryestrategjist në Shtëpinë e Bardhë

Steve Bannon, ish-kryestrategjist në Shtëpinë e Bardhë, është arrestuar sot në mëngjes, me akuzën se ka shpërdoruar fondet e mbledhura nga fushata “We Build the Wall” (Ne ndërtojmë Murin).
Më shumë se 25 milionë dollarë u mblodhën nga përkrahës të Presidentit Trump, kur ai akuzoi Kongresin Amerikan se nuk po lironte fonde të mjaftueshme për të ndërtuar murin ndarës në kufirin jugor me Meksikën, një premtim kyç elektoral në zgjedhjet e vitit 2016.
Prokurorët në New York akuzojnë se Bannon dhe të tjerë se kanë përdorur fondet për shpenzime personale duke mashtruar dhuruesit.
Një nga të akuzuarit është themeluesi i Fondit, Brian Kolfage, një invalid lufte që ka humbur tre gjymtyrë,
Prokurori në detyrë, Audrey Strauss deklaroi për median se “të akuzuarit… në mënyrë të përsëritur u premtuan donatorëve se Brian Kolfage, themelues dhe fytyra publike e Ne Ndërtojmë Murin nuk do të paguhej asnjë cent dhe se të gjitha paratë do të shkonin për ndërtimin e murit. Në fakt, ata mashtruan duke kanalizuar qindra mijëra dollar te Kolfage që i përdori për të financuar jetën e tij luksoze“.
Steve Bannon luajti një rol kyç në zgjedhjen e Presidentit Trump në 2016. Mirëpo, marrëdhëniet mes tyre u ftohën shumë pak muaj më vonë, kur Bannon u detyrua të largohet nga Shtëpia e Bardhë, pas botimit të librit “Fire and Fury” nga një autor të cilit i kishte siguruar hyrjen dhe praninë në zyrat e administratës. (Ruben Avxhiu)

Comment

*