Arrestohet themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange

Londër, 11 prill 2019 – Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, u arrestua të enjten në Londër nga policia britanike.

“Julian Assange, 47 vjeçar, u arrestua sot, më 11 prill, nga policia në ambasadën e Ekuadorit”, njoftoi policia metropolitane, citon Zëri i Amerikës.

Ai u dërgua në stacionin qendror të policisë së Londrës, ku do të mbahet derisa të dalë para gjykatës.

Arrestimi u krye pas ftesës që policia mori nga ambasada e Ekuadorit në Britani, ku zoti Assange kishte gjetur strehim prej vitit 2012.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi Qeveria e Ekuadorit ia hoqi të drejtën e strehimit.

Zoti Assange është përgjegjës për publikimin në WikiLeaks të qindra mijëra dokumenteve sekrete, të cilat shkaktuan zemërimin e qeverive në mbarë botën.

Ai kishte kërkuar strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, për t’iu shmangur ekstradimit në Suedi, ku akuzohej për sulme seksuale dhe për pretendimet për përdhunim të dy grave në vitin 2010.

Prokurorët suedezë e liruan nga akuzat vitin e kaluar, por drejtësia britanike kishte lëshuar urdhër arrest për shkelje të rregullave të lirimit me kusht, në vitin 2012.

Julain Assange, 47 vjeçar, akuzohet nga Shtetet e Bashkuara për rrjedhjen e qindra mijëra dokumenteve të fshehta ushtarake amerikane lidhur me luftërat në Afganistan dhe në Irak. (r.m.)

Comment

*