Arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Prishtinë, 13 dhjetor 2017 – Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, marrëveshja komerciale, e cvila pritet të nënshkruhet në ditët e ardhshme, parasheh që në këtë projekt të investohen mbi një miliard euro.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional në vitin 2023. Sipas investitorit, teknologjia e termocentralit do të jetë e fjalës së fundit gjë që do të reflektojë me uljen e emetimit të gazrave, respektivisht me ruajtjen e mjedisit.

Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës. Termocentrali do të ketë një bllok të vetëm, me kapacitet prej 500 megavatë orësh.

“Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. (r.m.)

Comment

*