Arta Vorpsi betohet si anëtare e Gjykatës Kushtetuese para një noteri

Tiranë, 14 nëntor 2019 – Thellohet kaosi në procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i cili është kthyer në mollë sherri mes Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe shumicës së majtë qeverisëse.

Arta Vorpsi, kandidatja që ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e cila sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë një lëvizje të papritur, duke u betuar te një notere, rsporton Zëri i Amerikës.

Ajo ka lexuar formulën e betimit përpara noteres Miranda Xhemalçe:

“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Por me vetë aktin e betimit përpara një notereje, zonja Vorpsi, duket se ka bërë një shkelje të hapur, pikërisht të Kushtetutës e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, ka thënë ajo.

Një kopje të betimit të saj, ajo ia ka dërguar edhe Presidenti Meta, ashtu si edhe Gjykatës Kushtetuese, ndonëse nuk është e qartë se çfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë.

Presidenti Meta deklaroi mbrëmë se botimi në Fletoren Zyrtare nuk ka vlerë.

“Çdo botim kontrabandë në Fletoren Zyrtare, pa dyshim, nuk sjell asnjë detyrim për Presidentin e Republikës”, u shpreh zoti Meta.

Më parë, për të njejtën vakancë, Meta e emëroi Marsida Xhaferllarin, në tejkalim të afatit 30 ditor që ia përcakton atij Ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Zotit Meta reagoi me ironi pas lajmit të betimit të zonjës Vorpsi.

“Nuk e pengoj askënd të betohet as te noterja, as te parukierja”, është shprehur Meta.

(r.m.)

Comment

*