Artistja realiste që dikur ilustronte për protesta

Londër, 25 mars 2018 – Shtypja dhe persekutimi i shqiptarëve në Kosovë nga regjimi serb, në fund të viteve ’90, e ka shtyrë Adelina Canollin që artin e saj ta vinte në shërbim të protestës.

Në demonstratat e viteve 1997 dhe 1998, ajo ilustronte pankartat që i mbanin të rinjtë. Ato ishin ilustrime të thjeshta, në formatin A1, të cilat bënin thirrje kundër mbylljes së shkollave shqipe, kundër persekutimit të shqiptarëve dhe për mbrojtjen e fëmijëve, grave, pleqve e civilëve të pafuqishëm.

Në vitin 1999, kur ajo shkoi në Britani të Madhe, hapi ekspozitë personale për luftën në Kosovë me ilustrimet e saj.

Ajo tregon se fotografi të këtyre punimeve se janë bërë pjesë e historisë dhe ruhen në Arkivin e Prishtinës.

Bashkë me lirinë që e gjeti në Britani, ku nisi një jetë të re, ndryshoi edhe arti i Adelinës. Tani ajo fokusohet në portretet realiste, gati hiperrealiste, në vizatime, në piktura dhe në punime kartolinash dhe aksesorësh.

Canolli ka arritur të bëjë karrierë në Londër, me ekspozita e prezantime të ndryshme. Punimet e saj tani  ekspozohen edhe në rrugë, por historia prapa tyre është krejt tjetër.

Piktura “Otto”, portret i djalit të saj, gjendet në një rrugë të kryeqytetit anglez në formë të një reklame. Ajo ka zënë vend aty falë votave që mori nëpërmjet internetit për ekspozitën që organizohet nga galeria “London Loop”.

Sa më shumë vota të fitojë, aq më gjatë do të mbetet e ekspozuar vepra e saj.

Por, jo vetëm kaq. Ky është një shans që të sigurojë “Çmimin e Madh” (Grand Prix) të ekspozitës, shkruan “Koha Ditore”. (r.m.)

Comment

*