As urrejtje e as frikë, në New York

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Me mijëra vetë kanë marshuar këtë fundjavë mbi Urën e Brooklyn-it, në New York City për të shprehur solidaritetin e tyre me komunitetin hebre njujorkez pas një serie sulmesh të dhunshme të javëve të fundit.
Vështirë të gjesh një qytet në botë si ky i yni që është bërë shtëpi për njerëz nga të gjitha kombësitë e të gjitha racat, nga të gjitha fetë e të gjitha ideologjitë, nga të gjitha mënyrat e jetës dhe preferencat në veshje, sjellje e organizimi familjar e komunitar.
Jetojmë këtu duke ndarë të njëjtën hapësirë duke respektuar identitetin e tjetrit e duke pritur të njëjtën gjë për tonin. Shumë prej nesh ndodhen këtu, pikërisht sepse kemi ikur nga një vend tjetër në botë ku njerëzit shtypeshin vetëm për shkak të identitetit të tyre. Mjafton të ishe shqiptar në Kosovë e ish-Jugosllavi dhe të drejtat e liritë e tua themelore njerëzore cungoheshin automatikisht. Mjafton të mos ishe komunist, e jo më të mos bije dakord me regjimin që në Shqipërinë komuniste rrugët e tua të jetësh të bllokoheshin e të ndëshkoheshe për disa breza në skajet geto të shoqërisë. Histori të ngjashme sjellin të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë qytet, e nganjëherë armiqtë e një toke tjetër jetojnë në të njëjtën lagje apo edhe të njëjtën rrugë e ndërtesë në këtë qytet. Po këtu gjithshka zhvillohet në një kontekst tjetër. Atë të lirisë. Të tolerancës. Të pranimit të njerëzve të ndryshëm e nganjëherë të kundërt me ty.
Kjo larmi, liri e tolerancë ka bërë që New York City të kthehet në një nga simbolet e civilizimit të sotëm, një gjigand ekonomik e kulturor, një nga vendet më të vizituara të botës.
Nga ana tjetër, kjo është edhe e vetmja mënyrë që ky Qytet të mbijetojë dhe të funksionojë. Nëse fillojmë sulmet ndaj të ndryshmëve, ndaj atyre me të cilët gjejmë ndonjë lidhje për konfliktet e të kaluarës apo të diku tjetër, i vetmi rezultat do të ishte një kaos i plotë që do të shkatëronte jetën e të gjithëve.
Ky është Qyteti që u sulmua në 11 Shtator duke pësuar një traumë të jashtëakonshme e gjithësesi arriti ta administrojë dhimbjen dhe t’i përgjigjet me solidaritet. Mbi 600 mijë myslimanët që jetojnë në këtë qytet vijuan të jenë pjesë e natyrshme e tij, ndonëse sulmi i tmerrshëm terrorist kundër Kullave Binjake u krye në emër të fesë së tyre.
Imagjinoni sikur reagimi të kishte qenë hakmarrja masive në rrugë ndaj qytetarëve, sulmet e shtëpive dhe objekteve të kultit, për t’u dhënë përgjigje. Incidente ka pasur dhe do të ketë gjithmonë në një qytet milionësh, po të gjitha mbeten të vetmuara, të përndjekura nga ligji, të dënuara ashpër e publikisht nga zërat e përgjegjshëm që përfaqësojnë komunitetet tona.
Kur greko-amerikanë në Brooklyn vendosën të nderojnë një terrorist që kishte hyrë në Shqipëri me armë se kërkonte ndryshim kufijsh, apo kur një propagandist serb nga Kandaja solli në New York, një film që hidhte baltë mbi tragjedinë dhe vuajtjen e shqiptarëve, komuniteti ynë organizoi protesta shëmbullore. Tregoi kulturë dhe vetëpërmbajtje, duke u nxjerrë përballë të vërtetën e tij. Nuk u ra pre e provokimeve. Gjithmonë do të ketë ngjarje të tilla që fyejnë kujtimin e historinë tonë e ngacmojnë plagë të vjetra, po edhe kjo është pjesë e lirisë që ofron ky Qytet e demokracia amerikane.
Sulmet e fundit kundër hebrejve nuk kanë pasur asnjë arsye tjetër përveçse mllef ndaj identitetit të tyre. Ato nuk kanë asnjë justifikim tjetër veç urrejtjes. Kjo nuk mund të tolerohet. Askush nuk duhet të ketë frikë të dalë në rrugë për shkak të identitetit të vet. Ne nuk e zgjedhim se si lindim e meritojmë respekt për zgjedhjet që bëjmë në jetë. Në të njëjtën mënyrë duhet të respektojmë identitetet dhe zgjedhjet e të tjerëve.
Historia amerikane dëshmon se lufta për të drejtat e njeriut është e përhershme, se ajo nuk mbaron dhe duhet vijuar, po edhe se ndryshimi është i mundur dhe marrëdhënie ndërfetare e ndërracore që dikur janë menduar të parealizueshme janë sot realitet. Si është shprehur dikur Martin Luter King, “harku i universit moral është i gjatë, por anon nga kahu i drejtësisë”.
Ky vend, e sidomos ky Qytet ka bërë rrugë të gjatë për të ardhur këtu ku është. Kjo liri e harmoni ndërkomunitare që gëzojmë këtu është nga gjërat më të çmuara në jetë dhe duhet ta ruajmë e të luftojmë për të. Çdo hapësirë, si ky Qytet nuk do ta kishte të lehtë të na mblidhte të gjithëve në këtë mënyrë, kaq të ndryshëm, kaq kundërshtarë në sa e sa gjëra, e përsëri të prodhonte një përzjere kaq të lavdishme.
Duhet të jemi krenarë për udhëheqës në komunitetin tonë, si Imam Tahir Kukaj, që ka hyrë në histori si Kapelani i parë shqiptaro-amerikan, në Departamentin e Policisë së New York-ut. Ai është prej vitesh organizator i veprmtarive ndërfetare e ndërkomunitare që bashkojnë njerëz nga më të ndryshmit në Staten Island e më gjerë në New York. I respektuar dhe i nderuar nga të gjitha instancat e larta zyrtarë në Qytetin dhe Shtetin e New York-ut.
Imam Kukaj ishte edhe një nga pjesëmarrësit shqiptarë në Marshimin Jo Urrejtje, Jo Frikë, mbi Urën e Brooklyn-it, ashtu si ka qenë pjesë e deklaratave dhe qendrimeve ndërkomunitare e mbarënjujorkeze pas sulmeve të dhunshme të këtyre javëve.
“Nëse nuk kemi paqe, kjo vjen nga që kemi haruar se i përkasim njëri-tjetrit”, thoshte Nënë Tereza. Në këtë hapësirë që ndajmë së bashku këtu, le të ruajmë frymën e lirisë dhe të qytetarisë. Le t’I themi jo Urrejtjes dhe Frikës. Le të mbajmë një Qytet për të gjithë.

Imam Tahir Kukaj, gjatë marshimit “As Urrejtje, As Frikë, në New York City.

Comment

*