Asamblistët e Vetëvendosjes nuk e votojnë raportin e Shpend Ahmetit

Prishtinë, 7 mars 2018 – Asambleja Komunale e Prishtinës nuk e ka miratuar raportin financiar të komunës për periudhën janar-dhjetor 2017.

Raporti i Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, është votuar vetëm nga 9 asamblistë. 33 asamblistë kanë votuar kundër, ndërsa 6  të tjerë nuk kanë votuar fare.

Kundër raportit financiar të komunës për periudhën janar-dhjetor 2017, bashkë me asamblistët e opozitës, LDK-së dhe PDK-së, kanë votuar edhe disa asamblistë të partisë së Ahmetit, Vetëvendosjes dhe disa asamblistë të partive në bashkëqeverisje, AAK-së e AKR-së.

Shpend ahmeti nuk ka marrë pjesë në diskutimin lidhur me raportin dhe për këtë ai u kritikua nga opozita.

“Unë e di pse kryetari i komunës nuk është sot këtu, pasi që ky nuk është raport”, ka thënë asamblisti i LDK-së, Sokol Havolli.

“Ky, në fakt, nuk është raport financiar. Është raport jashtëzakonisht qesharak”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se raportet e mëhershme financiare kanë qenë më të mira.

Raportin financiar të Ahmetit e ka cilësuar si “qesharak” edhe asamblisti i PDK-së, Blerand Stavileci.

“Nëse ka diçka që sot mund të përmblidhet si diçka qesharake është ky raport”, ka thënë Stavileci.

Vlerësim kritik për raportin ka shprehur edhe Iniciativa për Progres –INPO, e cilas monitoron punën në komunës së Prishtinës.

“Raporti financiar për periudhën janar-dhjetor 2017, me përmbajtjen aktuale, nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna e Prishtinës”, thuhet në një analizë të INPO-s.

Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t`i shpenzojë mjetet e parapara për investime kapitale. Nga afër 32 milionë euro, të parapara për investime kapitale, kjo komunë i ka shpenzuar vetëm 17 milionë e 721 mijë euro apo vetëm 56.48% të mjeteve në dispozicion.

Krahasuar me vitet paraprake, 2015 dhe 2016, niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka qenë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2015, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 62% të mjeteve të planifikuara, kurse në vitin 2016 ishin shpenzuar 58% të mjeteve në dispozicion. (r.m.)

Comment

*