Asani: Habit qëndrim i autoriteteve të Shkupit ndaj figurës së Nënës Terezë

Shkup, 14 maj 2020 – Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me seli në Shkup, Dr. Skendre Asani, ka reaguar pas përgjigjes së kryetarit të Shkupit ndaj kritikave që iu bënë për ndryshimin e pamjes së vendit ku ndodhet pllaka përkujtimore e Nënës Terezë.

Asani e hedh poshtë justifikimin e kryetarit të qytetit të Shkupit se reagimi lidhur me çështjen e parkut në rrethinën e shtëpisë së familjes Bojaxhiu është I vonuar.

“Sa i përket pretendimit të Shilegovit se pse nuk është reaguar më heret, Dr. Asani tha se ndonëse na duket pa vend argumentimi se a kemi reaguar apo jo në të kaluarën kur vendi i shtëpisë së Nënës Terezë kishte kaluar në pronësi private, dëshirojmë ta informojmë Kryetarin Shilegov se ne edhe atëherë kemi reaguar, porse për ne është e habitshme që reagimi ose mosreagimi të jetë arsye për të bërë gabime sot”, ka thënë Asani.

“Pos kësaj, mendoj se është e njohur tashmë se ne nuk kemi asnjë pushtet ekzekutiv që ta detyrojmë Qytetin ose ndonjë pushtet tjetër shtetëror që të veprojë ndryshe. Ne jemi institucion shkencor dhe kulturor dhe detyra jonë është ta themi fjalën tonë specialistike përkitazi me këto figura të rëndësishme të historisë që dalin përtej kufijve tanë etnikë, urbanë e shtetërorë”, shpjegon ai më tutje.

“Prandaj, duke u nisur nga kjo, për neve nuk janë kontestuese faktet që i shpalosi Kryetari Shilegov, por është me rëndësi perceptimi që ka pushteti ndaj figurës së Nënës Terezë. Nëse nobelistja e vetme nga Shkupi, Nëna Terezë, nuk është një figurë me përmasa botërore që e nderon më shumë se askush tjetër qytetin tonë dhe gjithë shtetin dhe që e kthen vëmendjen e gjithë botës drejt nesh, atëherë ne kemi problem serioz me standardin e vlerësimit të figurave të këtilla”, thotë Asani.

“Derisa bota mundohet të prodhojë figura të këtij profili edhe aty ku nuk ka realisht, ndërsa ne duke e pasur një figurë të tillë ta nëpërkëmbim duke ia zhdukur gjurmët e pranisë së saj në Kryeqytet, kjo më shumë flet keq për ne sesa për atë”, thekson ai.

Asani i kërkon edhe një herë kryetarit të qytetit të Shkupit që të gjejë zgjidhje, qoftë duke e kthyer në pronë publike pronën afër memorialit të Nënës Terezë, qoftë përmes procedurës gjyqësore ose duke gjetur mundësi të tjera për mbbrojtjen e trashëgimisë materiale të familjes së Nënës Terezë.

“Kërkesat tona janë modeste: të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës të shkruhet edhe në gjuhën shqipe, siç është e rregulluar me ligj”, thuhet në reagimin e Asanit.

Ai shpreh habinë me deklaratën e kryetarit të qytetit të Shkupit se ai nuk ka të drejtë të ndërhyjë, sepse prona ku është ngritur parku është pronë private.

“Ajo që është për keqardhje është se Kryetari Shilegov lejon që “qytetarë të ndërgjegjshëm në mënyrë vullnetare të mund t’i mbulojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë”, ndërsa qyteti i Shkupit,, si bashkësia më e madhe e vetëqeverisjes vendore me pushtet ekzekutiv, nuk paska mundësi të bëjë asgjë për ta rikthyer në gjendjen paraprake një pikë të rëndësishme të pelegrinazhit dhe turizmit në Kryeqytet, e cila, pos tjerash, flet për gjurmët e bamirësisë që kanë buruar nga ky vend dhe janë shpërndarë në gjithë botën”, thuhet në reagim.

Ai parlajmëron se Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Nënës Terezë, nuk do të ndalet së kërkuari mbështetje nga faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë për mbrojtjen e trashëgimisë së Nënës Terezë në Shqkup. (r.m.)

Comment

*