Asgjë e re

Astrit Lulushi

Njeriu mendon ato që lexon dhe shkruan ato që mendon. Kjo ndërlidhje tregon se në botën e mendimit asgjë nuk është e kufizuar, shkon përtej të menduarit dhe asgjë nuk është e ndaluar dhe e paprekshme. Cdo gjë është vazhdimësi, rreth, asgjë e re, që ndryshon vetëm në interpretim.

Bota ekziston, vetëm sepse ne e shohim. E parë nga jashtë ajo as që duket, dhe kjo na bën të ndjehemi vetëm. Pra, njeriu ekziston, por edhe jo, gjë që e shtynë atë të krijojë thelbin e vetes, i cili natyrëshëm bëhet epiqendra e cdo sjelljeje të tij. Teoria e Sokratit fillon e mbaron me Unin. Në Apologjinë e tij, ai thotë se gjëja më e rëndësishme në jetën e njeriut është njohja e vetes, shprehje që mund të kuptohet si kujdes për veten ose vetë-mirëqenie.

Varësia e bën njeriun skllav, veçanërisht nëse kjo varësi lidhet me vetë-vlerësimin e tij. Njeriu ka nevojë për inkurajim, dhe një dorë e ngrohte i bie supeve për ta nxitur; është ky i fundit që bëhet zot i tij, prandaj të ndryshosh zotërinjtë nuk do të thotë të fitosh lirinë. Për të cliruar dikë nga robëria do të thote për ta çliruar atë nga dora apo kontrolli i dikujt tjetër, për t’u bërë dorëzanës, fjalë kalk i latinishtes “manumit” – dorë-heqje. “Manus” ka dhënë edhe fjalë të tjera si “manaxher” dhe “emancipues”, ndërsa “mit” përdoret për “rryshfet”.

Faktorët politikë, për të fituar ligjshmërinë e pushtetit të kapur padrejtësisht, krijojnë mosmarrëveshje me njeri tjetrin, pastaj ngërce e kriza, dhe në fund papritur, bien dakord – gjithë zhurmën e bëjnë vetëm për të larguar vemendjen nga fakti se ata janë të paligjshëm – veprojnë si njeriu tinzar që përpiqet të mos bjerë në sy për gabimet e tij, kur të tjeret e kanë në vemendje. “Ti nuk e di sesa me pak urtësi bota qeveriset”, i shkruante konti suedez Aleksel, birit të tij në vitin 1648. Nga kjo del se i ndodhur gjithnjë në luftë me të keqen, njeriu nuk duhet të jepet, as të bëhet i keq, por të përpiqet të bëjë të keqen më të vogël të mundshme.

Comment

*