ASHAK: Vdekja e Robert Elsit – humbje e pazëvendësueshme

Prishtinë, 2 tetor 2017 – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) shpreh pikëllim për vdekjen e hershme të anëtarit të saj të jashtëm, albanologut të shquar kanadez, Robert Elsie.

ASHAK vlerëson se vdekja e akademik Elsie-t  është humbje e pazëvendësueshme për albanologjinë.

“I konsideruar si një nga penat më aktive të përhapjes së kulturës dhe të trashëgimisë sonë në botë, veprimtaria e tij, e gjerë dhe e gjithanshme, është shtrirë në disa gjuhë botërore të cilat i zotëronte ai si një poliglot i vërtetë’, thuhet në komunukatë.

ASHAK bën të ditur se të mërkurën, më 4 tetor 2017, do të mbajë një mbledhje përkujtimore për Robert Elsie-n.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsie-t, njërit nga albanologët më të shquar të kohës sonë, studiues i gjuhës, i letërsisë, i historisë dhe të traditës shqiptare, përkthyes, hulumtues arkivash dhe dokumentesh të hershme, nga ato gjuhësore, historike, deri te zhvillimet më të reja të artit dhe të letërsisë sonë..

I lindur në Vankuver të Kanadasë në vitin 1950 ai do të njihet shumë herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe do t’ia përkushtojë gjithë jetën thesareve të saj.

I konsideruar si një nga penat më aktive të përhapjes së kulturës dhe të trashëgimisë sonë në botë, veprimtaria e tij, e gjerë dhe e gjithanshme, është shtrirë në disa gjuhë botërore të cilat i zotëronte ai si një poliglot i vërtetë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës ishte ai që nga viti 2000, duke konsideruar humbjen e tij të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes Elsie, miqve dhe dashamirëve të tij të shumtë në të gjitha trojet shqiptare.

Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut Robert Elsie, ASHAK do të mbajë një mbledhje përkujtimore në mjediset e Akademisë, më 4 tetor 2017, në orën 10, ”, thuhet  në komunikatën e ASHAK. (r.m.)

One Response to “ASHAK: Vdekja e Robert Elsit – humbje e pazëvendësueshme”

Read below or add a comment...

  1. Sami Repishti USA says:

    I perjeteshem qofte kujtimi i te nderuemit Profesor Robert Elsie. Aftesia e tij intelektuale, deshira per zbulime te reja, puna e vazhdueshme dhe kushtimi i tij studimeve shqiptare jane nji shembull i ndritun per te gjithe, sidomos per ne shqiptaret. Ai, tani, ka hy ne rradhet e te medhejve qe na respektojme qofshin shqiptare qofshim nga bota e huej. Pushofte ne paqen qe aq shume meriton.

Comment

*