Autoritetet e Kosovës paralajmërojnë ashpërsim të masave kundër COVID-19

Prishtinë, 1 gusht 2020 – Epidemia e koronavirusit në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese, javën që po shkon. Më se 40 persona e kanë humbur jetën, dhe rreth 600 të tjerë janë infektuar nga COVID-19 vetëm gjatë tri ditëve të fundit.

Autoritetet e shëndetësisë janë alarmuar nga këto shifra. Drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë tërhequr vërejtjen se situata po shkon duke u rënduar dhe se ajo mund të dalë jashtë kontrollit.

Kjo ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të paralajmërojë ashpërsim të masave. Ai nuk treguar se cilat do të jenë këto masa, por i ka kritikuar sjelljet e disa gastronomëve dhe të disa qytetarëve, të cilët u panë në disa grumbullime.

Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat janë të gatshme t’i zbatojnë masat që do të ndërmerren nga qeveria, në mënyrë që të frenohet përhapja e epidemisë.

Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, paralajmëroi reagim më të ashpër të pjesëtarëve të policisë nga personave të papërgjigjshëm. Të shtunën, ai tha se policia nuk do të ketë konsideratë për asnjë qytetar që nuk i zbaton masat e ndërmarra nga qeveria.

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale janë të shtruar 599 pacientë. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi. ka thënë se situata është jashtëzakonisht e rëndë. Ai ka treguar se spitalet e destinuara për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19 ballafaqohen me mungesë të kapaciteteve dhe të kuadrit mjekësor.

(r.m.)

Comment

*