Autoritetet hetojnë, presidenti komenton mbi bombat postare

Mike O’Sullivan

Presidenti Donald Trump tha dje se zarfat me lëndë plasëse të dërguara në adresë të zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të qeverisë amerikane nuk kanë vend në politikën amerikane. Paketat iu dërguan ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, ish-Presidentit Barak Obama si dhe një numër personalitetesh amerikane, po ashtu edhe zyrave redaksionale të rrjetit CNN në Nju Jork. Presidenti Trump, duke folur për zhvillimet e fundit, fajësoi median si pjesërisht shkaktare e problemit:

Policia në Uashington dhe në një zonë periferike në Nju Jork po hetonte përmbajtjen dhe dërguesin e disa paketave në adresë të ish-Presidentit Barak Obama, si dhe ish-kandidates presidenciale, Hillary Clinton, ndërkohë që në një tubim në Uiskonsin, Presidenti Trump i cilësoi këto akte si sulm kundër demokracisë:

“Media ka përgjegjësinë t’i përmbahet një qëndrimi të civilizuar, të heqë dorë nga negativizmi dhe tendencat armiqësore, nga sulmet shpesh të pabaza”.

Më parë dje, zyrat redaksionale të rrjetit CNN në Nju Jork, u evakuuan pasi një paketë e dyshimtë u gjet në magazinën e postës. Zyrtarët janë shprehur se këto janë akte terroriste.

“Oficerët që u dërguan në skenën e ngjarjes identifikuan një pajisje që dukej si një mjet plasës aktiv. U mobilizua skuadra për asgjësimin e bombave e cila e neutralizoi pajisjen dhe e ka sjellë për hetime. U gjet edhe një zarf me pluhur të bardhë,” tha komisioneri i policisë në Nju Jork.

Ka njoftime për paketa të dyshimta të dërguara edhe në adresë të ligjvënëses demokrate Debbie Wasserman Schultz në zyrën e saj në Florida. Po ashtu të hënën u gjet një bombë e improvizuar në kutinë postare të miliarderit, George Soros, një përkrahës i fuqishëm i demokratëve. Asnjë nga pajisjet nuk ka shpërthyer.

Nënpresidenti Mike Pence i dënoi incidentet si akte prej frikacakësh.

Në Florida, zonja Clinton u shpreh se këto janë kohë të trazuara:

“Këto janë kohë të shoqëruara me përçarje të thella. Duhet të bëjmë të pamundurën që ta bashkojmë vendin”.

Kritikët e kanë akuzuar presidentin se e ka acaruar retorikën. Një senator republikan nuk mendon ashtu, megjithatë bën thirrje për qëndrim të moderuar:

“Mendojmë se njerëzit nga të dyja kahjet politike, duhet të përqafojmë qëndrime të moderuara,” – tha Senatori Orrin Hatch.

Autoritetet vazhdojnë hetimet në Uashington, Nju Jork, Florida, si dhe në Los Anxhelos ku u interceptuan dy paketa të dyshimta në adresë të ligjvënëses Maxine Waters. (VOA)

Comment

*