Autoriteti i Hekurudhave: Askush nuk na ka konsultuar për linjën Prishtinë-Beograd

Prishtinë, 13 shkurt 2020 – Përfaqësuesi Special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një periudhë të shkurtër kohore ka shtyrë përpara Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së dy marrëveshjeve në parim, një për linjën ajrore Prishtinë-Beograd dhe një për hekurudhat.

Por, as Grenell dhe as institucionet e Kosovës nuk e kanë konsultuar fare Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar Shkumbin Hyseni, anëtar i bordit të ARH-së.

“ARH nuk është kontaktuar nga asnjë institucion rreth kësaj çështje”, ka thënë Hyseni për gazetën Express

Hyseni ka thënë se kanë edhe mungesë të informacioneve se çfarë është diskutuar në Berlin rreth mundësisë për arritjen e marrëveshjes për hekurudhat. Ai beson se bisedimet janë fokusuar në vetëm dy linjat funksionale, linjën Fushë Kosovë-Leshak dhe linjën Fushë Kosovë-Merdar.

“Së pari, marrëveshja hekurudhore akoma nuk është nënshkruar. Janë zhvilluar bisedime, por akoma nuk janë vënë firmat në marrëveshje. Duke qenë se nuk jemi direkt të përfshirë në këto bisedime, kemi edhe mungesë të informacionit se si dhe çka është biseduar në Berlin. Duke ditur se, momentalisht, hekurudha e Kosovës ka infrastrukturë hekurudhore që shpije vetëm në dy pikëkalime kufitare hekurudhore (në Leshak dhe në Merdar), supozohet se bisedimet do të jenë të fokusuara në këto dy linja”, ka thënë anëtari i bordit të ARH-së.

Ai ka treguar se hekurudha Fushë Kosovë-Leshak është në gjendje më të mirë dhe mund të shfrytëzohet më lehtë për transport, ndërsa linja Fushë Kosovë-Merdar ka disa dëmtime, riparimi i të cilave kërkon investime të konsiderueshme.

“Linja Fushë Kosovë-Leshak është në gjendje më të mirë infrastrukturore dhe mund të jetë më i lehtë realizimi i transportit hekurudhor, nërsa linja Fushë Kosovë-Merdar i ka disa dëmtime të rrjetit dhe duhen intervenime që mund të kenë një kosto jo të vogël. Të dy këto linja do të ishin në interes të zhvillimit të transportit që të hapen dhe të kemi transport ndërkombëtarë minimum në tri linja hekurudhore, dy me Serbinë dhe një me Maqedoninë”, ka thënë ai.

Shkumbin Hyseni gjithashtu ka thënë se ndonëse Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave është përgjegjës për çdo mjet që lëviz në hekurudhat e Kosovës, ata nuk janë konslutuar fare  lidhur me bisedimet për marrëveshjen eventuale për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd. Ai ka thënë se ky është një fakt shqetësues.

“Duhet thënë se ARH është institucion përgjegjës për dhënien e licencave, të certifikatës së sigurisë dhe të autorizimeve për operim të çdo kompanie hekurudhore, respektivisht çdo mjeti lëvizës në hekurudhë. Po ashtu, përgjegjësia për mbikëqyrje të tregut dhe për vlerësimin e sigurisë hekurudhore i takon ARH-së, konkretisht departamenteve përkatëse të ARH-së. Duke qenë e tillë, edhe në proceset e ardhshme, çkado që ndërlidhet me këtë fushëveprim është në kompetencë të ARH-së, vendimmarrja. Duke u nisur nga këto, do të ishte e natyrshme që në një mënyrë apo tjetër të ishin bashkërenduar veprimet mes ARH-së dhe institucioneve tjera. Ne, në çdo kohë, kemi pasur gatishmërinë dhe do të kemi në vazhdimësi, për të kontribuar në çdo proces ku vlerësohet se mund ta japim kontributin tonë. Por, përkundër kësaj, ARH-në nuk e ka kontaktuar për këtë çështje askush nga institucionet e Kosovës. Është për t’u shqetësuar moskoordinimi mes të gjithë akterëve për një çështje kaq më rëndësi. Megjithatë, është vlerësim I institucioneve tona, konkretisht i Ministrisë së Infrastrukturës në ketë rast, për veprimit që ka marrë”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se beson që institucionet e Kosovës do të jenë të përgjegjshme, në rast të nënshkrimit të një marrëveshjeje eventuale për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd. Ai ka gtheksuar se Kosova assesi nuk duhet të nënshkruajë marrëveshje që do të cenonte sistemin aktual hekurudhor të Kosovës dhe ka shtuar se Kosova duhet të kërkojë edhe kthimin e një pjese të mjeteve lëvizëse të Hekurudhës së Kosovës që është grabitur nga Serbia.

“Ne besojmë se institucionet tona janë  të përgjegjshme në veprimet dhe vendimet që marrin dhe shpresojmë se marrëveshja eventuale do të jetë në interes të Hekurudhës së Kosovës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi. Kërkojmë që në asnjë mënyrë të mos nënshkruhet asnjë marrëveshje që e cenon sistemin aktual hekurudhor në Kosovë. Kjo do të duhej të ishte kërkesa minimale e Kosovës, pa lënë anash edhe kthimin e mjeteve lëvizëse hekurudhore që janë pronë e Kosovës, por që padrejtësisht gjenden në Serbi”, është shprehur ai.

Shkumbin Hyseni ka treguar se bllokada në pjesën veriore të Kosovës e ka paralizuar transportin hekurudhor transit nëpër këtë pjesë të Kosovës. Ai ka thënë se në atë pjesë nuk operon asnjë kompani e licencuar nga ARH-ja, por vetëm kompani ilegale që transportojnë udhëtarë.

Ai ka treguar se ARH e ka ngritur zërin qysh në vitin 2017, kur ishte marrë vendim për ndalimin e operimit të trenave të palincencuar, por ky vendim nuk është respektuar në tërësi.

“Kemi një problem jo  të lehtë në operim, me kufizimin e lëvizjes së trenave në veri të Kosovës. Kjo ka ndikim direkt në operimin dhe zhvillimin e transportit hekurudhor, sepse kjo bllokadë, deri në njëfarë mase, e ka paralizuar transportin dhe e ka pamundësuar zhvillimin e transportit transit nëpër Kosovë”, ka thënë ai.

Hyseni ka treguar se në komunat veriore të Kosovës nuk operon asnjë kompani hekurudhore e licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës, andaj çdo operim në atë pjesë të vendit është i jashtëligjshëm. (r.m.)

Comment

*