Autoriteti i Konkurrencës heton furrëtarët e Pejës

Prishtinë, 28 shtator 2017 – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar me hetime preliminare kundër furrëtarëve që afarojnë në komunën e Pejës, pasi dyshohet se ata janë marrë vesh për ngritjen e çmimit të bukës.

Autoriteti i Konkurrencës kishte marrë informacione se furrëtarët, pas një takimi në një lokal të Pejës, në bashkërendim kanë ngritur çmimin e bukës nga 30 në 40 centë.

Marrëveshja për çmimin është e ndaluar dhe ndëshkohet në bazë të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

“Marreveshjet e shkruara apo të bashkërenduara (gojore) ndërmjet afaristëve, të cilat kanë për qellim ngritjen dhe fiksimin e çmimeve konsiderohet si Kartel, prandaj ato janë të ndaluara dhe të ndëshkueshme nga Ligji në fuqi”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Në njoftim thuhet se inspektorët hetues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës sot kanë bërë monitorimin dhe hetimin e tregut gjeografik (komuna e Pejës) dhe të tregut të produktit (bukës), me ç’rast kanë mbledhur informata fillestare për ngritjen e procedurave hetimore kundër furrëtarëve afaristë që operojnë në Komunën e Pejës.

“Autoriteti i Konkurrencës do t’i vlerësojë dëshmitë dhe faktet e mbledhura nga inspektorët hetues nga tereni për të vendosur më tutje për procedurat ligjore kundër pjesëmarrësve në kartel”, thuhet në njoftim.

Masat ndëshkuese për nxënien e karteleve janë 10% të qarkullimit vjetor të operatorit pjesëmarrës. (r.m.)

Comment

*