Avdi Hajdari do të hapë ekspozitë personale në Cyrih

Cyrih (Zvicër), 10 prill 2017 – Piktori nga Kosova Avdi Hajdari Kame i cili jeton në Zvicër do të hapë në Cyrih një ekspozitë personale të veprave të tij.

Ekspozita e titulluar “Vakumi”, do të hapet më 24 maj, në “Galerie am Lindenhof”, në qytetin e vjetër të Cyrihut. Në të do të ekspozohen krijimet më të reja të autorit, të paekspozuara më parë.

Hajdari e ka konceptuar kështu projektin e tij më të ri:

“Veprat në vakum vijnë nga fushëveprimi i brendshëm që jam munduar të reflektoj dhe të sjell një seri punimesh që përmbajnë në vete gjurmë, sipërfaqe dhe kode të përziera të ndryshme, pra tërë këto si pasojë e ‘rrotullimit, ndeshjes, ngjizjes etj.’ të ideve nëpër kokë, ku në mënyra simbolike shprehen ato fusha vakumi të kufizuara me veprim të të menduarit në kuadratin imagjinativ! Nëse në qëllimin tonë gjithmonë jemi në kërkim të një gjëje (shpërthim) që do të mund t’i nxjerr të gjitha idetë e qartësuara në sipërfaqe, pra nxjerrja nga vakumi, një gjë e tillë mund të tingëllojë naive dhe duhet të pajtohemi që shpërthimi nuk duhet të jetë patjetër shpërthyes!

Mënyra e shprehjes dhe liria e shprehjes në këtë vakum mund të jetë e mbi kalkuluar si pasojë e ndeshjes së ideve mes vete brenda vakumit, si dhe vetë ky konservim i ideve mund të reflektojë pikëpamje dhe perceptime të ndryshme të natyrës! Perspektiva e brendshme mendore mund ta përcaktojë një veprim të tillë po aq sa edhe mund ta vlerësoj harmoninë në raport me atë që dëshiron ta krahasosh!”, ka thënë piktori.

Avdi Hajdari (Kame) është i lindur në Kamnicë, Kosovë, në vitin 1978. E ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e pikturës, në klasën e profesorit Tahir Emra, në vitin 2002, raporton albinfo.ch. (r.m.)

Comment

*