Azem Syla lirohet nga paraburgimi

Prishtinë, 12 mars 2018 – Ish komandanti i UÇK Azem Syla është liruar nga paraburgimi.

Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij Besnik Berisha.

Ai ka shkruar se gjykata ka refuzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

Gjykimi ndaj Sylës është transferuar për tek gjykatësit vendor para disa javës.

Gjykimi ndaj tij për akuzat për rastin “toka” do të udhëhiqet nga gjykatësi Beqir Kalludra.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive, raporton Kallxo.com. (r.m.)

Comment

*