Babai im, Kamani

Nga Luan Çipi

Kaman Çipi

Kaman Çipi, babai ynë, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1895. I  ngelur jetim, pa babë, qysh në moshën 8 vjeçare dhe duke qenë fëmija i fundit, në një familje numerike, ai përballoi halle dhe vështirësi të shumta. Me shumë sakrificë dhe këmbëngulje ndoqi me sukses dhe përfundoi, njërën pas tjetrës, shkollën fillore dhe plotore turke të qytetit të Gjirokastrës, duke u dalluar për mësimin e gjuhëve turke dhe arabe. Me ndihmën e kushëririt të vet, mësuesit avokat Asaf Çipi dhe patriotit Thoma Papapano ndoqi kurset dhe përvetësoi mirë edhe gjuhën shqipe, duke u përfshirë ndër përhapësit e parë të gjuhës së shkruar amtare.

Pa i gjetur mundësitë për mbijetesë në qytetin e vetë të lindjes, duke ndjekur shembullin e vëllait të madh, që kish emigruar në Turqi, po që se kish gjetur mirë veten,  Kamani u vendos të emigronte në Amerike, çka ishte bërë modë aso kohe ndër djemtë gjirokastritë. Ishte viti 1913, vit krize dhe reprezaljesh greke në Gjirokastrën e shqetësusar, që bënte përpjekje për t’u bashkuar, në pavarësinë e Shqipërisë, me qeverinë e Vlorës. Kamani 18 vjeçar, me një grup djemsh gjirokastritë, niset për në tokën e premtuar, Amerikë. I përkrahur nga të tjerë gjirokastritë e patriotë si Lutfi Çipi, Kosta Isaku, Ramiz Harxhi, atje, në Amerikë, fillon e bën çfarëdo lloj punësh e kursesh dhe më së fundi punon si shofer transporti në një fabrikë municionesh. Në këtë mënyrë shpejt siguron të ardhura të bollshme, shlyen navllon e marr borxh dhe ndihmon familjen në nevojë.

            Në Shqipëri Kamani u kthye në vitin 1922. Erdhi për pushimet vjetore, por angazhimi për riparimin e shtëpisë në fillim, si dhe disa detyra caktuar nga bashkatdhetarët e tij vatranë në Amerike dhe situata e krijuar pas ngjarjeve demokratike Noliane, e shtynë nga dita në ditë kthimin.

Vrasja e Avniut e dëshpëron dhe e mbush me urrejtje. Fillimi i revolucionit të   qershorit 1924 e përfshin, me gjithë automjetin e tij në ato ngjarje të vrullshme në pjesëmarrje aktive dhe luftarake. Merret me lëvizje trupash, ushqimesh dhe veshmbathje; lufton me armë në dorë në betejën e Ardenicës, në çetën e Rrapo Çelos, ku dhe plagoset në pulpën e këmbës së majtë. Dështimi i Qeverise së Nolit, idhullit të tij të përjetshëm, zhgënjimi për masat gjysmake dhe për paaftësitë dhe pasivitetin e tij, mungesa e organizimit dhe e harmonisë ndërvepruese, ndarja në grupe interesash dhe përfituesish grindavecë, e hedh në dëshpërim dhe e bën që të urrejë politikën dhe politikanët, duke na këshilluar, që dhe ne, bijtë e tij, gjithnjë të qëndrojmë larg saj.

Familja dhe prona u bë qëllimi i jetës së tij…Vazhdoi punën si shofer. Krijoi Axhensinë e Autoveturave Vlorë-Gjirokastër, duke i kooperuar ato pak automjete të kohës, që ishin në luftë konkurruese. Në vitin 1934 mbartet familjarisht në Vlorë dhe në aktivitetin e tij tregtar përfshihet dhe transporti i mallrave. Merë monopolin e shpërndarjes së kripës së detit për zonën e jugut, bën tregti me drithëra dhe lëkurë. Axhensia e Transportit Automobilistik në Vlorë vendoset në Sheshin “Tomson”, në qendër të qytetit. Për hapat e shpejta e të suksesshme shërbeu shkalla e lart relativisht e arsimimit si dhe përvoja, gati 10 vjeçare amerikane.

Veç kësaj, në Vlorën e pasur nga natyra dhe të bekuar nga Zoti, prej kohësh kishin zbritur qindra gjirokastritë punëtorë e kursimtarë, që ishin pasuruar dhe ishin bërë ndër pronarët më të kamur veprues. Ata e përkrahnin dhe e ndihmonin pa xhelozi njeri tjetrin.

Në Vlorë Kamani, shpejt, nisi të zbatojë përvojën e marrë si emigrant nga Amerika, duke u orientuar në bizneset më të leverdishme. Ai përsëriste sentencën “Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh” Dhe gjithë jetën, sa mundi, u mor edhe me ndërtime. ”Ka dy lloj njerëzish, thoshte, ndërtues dhe prishës. Ne duhet te jemi nga ata që ndërtojnë, me punë të lodhshme dhe me djersën e ballit” Bleu tokë, në Skelë të Vlorës nga familja “Vlora” dhe më pas nga  gjirokastriti Veli Harxhi dhe në vitin 1937 ndërtoi një vilë dy katëshe, që për shumë vjet ishte e vetmja banesë e rrugës Vlorë-Skelë. Atje, në kushte shumë të mira banimi, në kopshte të gjelbëruara me shumë pemë, lule, baç të mbjella me gjithfarë zarzavate gjithëvjetore, me lopë qumështi, pula, kalë shale e automjete të vogla e të mëdha, duke ndjerë nga afër zhurmën dhe erën e detit, banuam disa vjet, deri pak kohë pas okupacionit italo-fashist. Italianët të vendosur ushtarakisht me kazerma karshi shtëpisë tonë, e kërkuan me insistim dhe imponuan marrjen e saj me qira. Kamani shpërngulet në Vlorë, ku nis ndërtimi i shtëpisë tjetër dy katshe, me gurë, në lagjen Muradie. Guri vinte nga Drashovica dhe shfrytëzohej rruga e kthimit bosh të makinave nga Gjirokastra, sipas përvojës së ndërtimit të shtëpisë së Skelës. Ishte kjo periudha kur Kamani, me gjirokastritët e pasur Musa Gurgaj dhe Syrja Peshkëpia formuan shoqërinë tregtare automobilistike “PEGUÇI”, ku përfshinë 4 automjete diesel të reja të kohës me rimorkio, si Fiat sesantasej, Fiat ventisej dhe Trentakuatro, që administroheshin nga Axhensia Automobilistike e Kaman Çipit në Vlorë.

Gjatë luftës Italo-Greke, kur Vlora nisi të bombardohej nga aviacioni anglez, familja jonë, si e shumë vlonjatëve të tjerë, u shpërngul nga  Vlora dhe u vendos pranë dajove, në Fier.

Dajot tanë në qytetin e Fierit, Gani, Qani dhe Fejzi Peshkëpia u vendosen, të larguar nga lagjia Pllakë Gjirokastër  rreth viteve 1920. Në Gjirokaster ata kishin dy shtëpi, buzë rrugës Pashallarë dhe babai i tyre, Neimi dispononte edhe bagëti të imta, që i shtegtonte verës deri në Myzeqe. Ishte fatkeq, se vdiq shpejt, bashkë me një djalin e vete nga gripi spanjoll.

 Në qytetin e Fierit dajot ndërtuan një shtëpi të bollshme tip Elbasani, me baç, pemë dhe oborr, ku jetonin bashkërisht me nënën e tyre Xhevrije. Atje dhe u martuan e u shtuan. Ganiu punonte në një tregëti të vogël, Qaniu këpucar dhe Fejziu shofer me makinën e tij. Shpejt u pasuruan diçka dhe u përfshinë si aksioner në Fabrikën e re të Tullave të qytetit dhe në Fabrikën e Miellit. Dajot dalloheshin për ndershmëri e korrektesë dhe si të tillë bënë emër të mirë në qytetin e Fierit, tradite që u përcoll ndër vite nga djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat e tyre.

Edhe në qytetin e Fierit, Kamani bleu tokë dhe ndërtoi një shtëpi tre katshe, në lagjen “Liri”, me vend parkimi, hajate dhe baçe, e gjithë e rrethuar me murr blloqesh betoni. Për punimet e rifiniturës dhe zbukurime e deri piktura murale në këtë shtëpi u përdorën edhe tre italianë, të ngelur rrugëve, pas kapitullimit të Italisë dhe që u mbajtën në familjen tonë, si të ishin pjesëtarë aktiv të saj, duke ngrënë e pirë në një sofër.

Në Fier Kamani administronte shoqërinë e transportit automobilistik “PEGUÇI” dhe kamionët e tij transportonin mallra gjithfarësh, përfshirë monopolin e kripës, në gjithë Shqipërinë, përfshirë Kosovën, prej nga sillnin kryesisht drithëra.

Në vitin 1944 Kamani kthehet familjarisht në Vlorë dhe vendoset në shtëpinë e Skelës. Rikrijohet Agjencia e Transportit Automobilistik dhe shumë shpejtë të gjitha mjetet e transportit të privatëve punojnë të bashkuara, të inkuadruar nga shteti, sipas nevojave për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rindërtimin e vendit, dhe Kamani caktohet si Kryetar i Këshillit të Transportit Automobilistik të Vlorës.  Krijohet Bashkimi i Kooperativave të Transportit Automobilistik dhe Kamani, sërish, zgjidhet delegat permanent i degës së Vlorës pranë Federatës Nacionale të AT me qendër në Tiranë.

 Pak kohë Kamani punoi dhe si përkthyes i anglishtes, pranë Aleatëve në UNRA dhe më pas, shofer në Distilerinë “Skenderbej”, magazinier, po aty, kafexhi privat me një ortak në një dyqan të vetin, pranë Merkatos së qytetit dhe së fundi, deri sa vdiq, Sekretar i Gjyshatës Bektashiane në Kuzbaba Vlorë.

 Në periudhën e fundit u intensifikua veprimtaria e tij si përkthyes nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja dhe si krijues i mirëfilltë e sidomos poet pasionant. Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me “Dekretin e Shenjtë” nr. 37, datë 15 maj 1950  e shpall Kaman Çipin DERVISH, duke i dhënë të drejtën “ me vesh roben e shenjtë të Haxhi Bektashit në të gjitha Teqetë Bektashiane të Botës “

Duhet thënë se vitet e para pas çlirimit të vendit, disa armiq personal të tij, të pa aftë për punë të ndershme, të liq, ambiciozë e intrigantë, përkohësisht me pushtet, duke u bërë xheloz për sukseset, pasurinë dhe vitalitetin e tij, i sollën shqetësime serioze, që, si të thuash, i shkurtuan jetën. Kamani përjetoi strese dhe poshtërime të pazakonta si presione deri burgosje për mbajtje armesh zjarri dhe mos dorëzim arri, duke përballuar me trimëri torturat gjurmëlënëse të xhelatit të Sigurimit të Shtetit, kryesisht të toger Sami Hasanit nga Mallakastra (që më vonë, për këto lloj krimesh u ekzekutua); kreu, përkohësisht, punë angari të pa volitshme për shëndetin dhe moshën e tij, si hapje kanalesh dhe punë bujqësore deri në Llakatund. Po kështu gjurmë të rënda lanë dhe sekuestrimi, pa shpërblim i automjeteve, shtetëzimi i shtëpive dhe dyqaneve e deri shpallja si të pa dëshirueshëm, pa triskë fronti, për disa muaj dhe peripeci të tjera. Lidhur me këtë proces në mbledhjen e Frontit Demokratik te Lagjes Muaradie, mbahet mend se bëri bujë e u përfol gjatë, akti i gruas se tij, Zeqirjesë, që në momentin kur Kamanit ju refuzua triska e frontit, asaj ju dha, por u refuzua kategorikisht me shprehjen: Kur nuk e meriton burri, unë si pjesë besnike dhe e pandarë nga ai, gjithashtu nuk po e marr, derisa kjo padrejtësi të korrigjohet. Dhe kaluan pak muaj që kjo padrejtësi e pakuptimtë u ndreq, sidomos se familja e Kamanit e përkrahu luftën antifashiste dhe një djalë i tij, Enveri, ishte pjesëtar aktiv i saj, qysh nga fillimi.

Kaman Çipi ishte një burrë i fort fizikisht, i shkurtër rreth 158 cm., gjithnjë i shëndoshë dhe me peshë mbi 75 kg.. Ishte mjaftë dinamik, në lëvizje e kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash. Ai ishte shumë i lidhur me punën dhe mjaft i shoqërueshëm; lexonte e shkruante anglisht, turqisht (shkrimin e vjetër dhe të ri) dhe arabisht, fliste greqisht dhe italisht. Kamani shkruante poezi interesante mistiko fetare dhe për dashurinë familjare. dhe thurte tregime të bukura me humor të zgjedhur. Në Bibliotekën familjare i gjeje të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare. Ai këndonte shumë bukur me zë të lart e të pastër tenori, duke e shoqëruar me mandolinën e tij “Gibson”, të prurë nga Amerika. E këndonte mirë polifoninë labe, e sidomos atë gjirokastrite, aqsa e kërkonin posaçërisht dhe e vinin në krye te sofrës në davete e ahengje. Ishte një profesionist politeknik dhe mjaftë i thelluar në njohuritë për mirëmbajtjen, meremetimin dhe eliminimin e defekteve në automjetet. Dallohej për dirigjimin e automjeteve, në kushtet e infrastrukturës mizerabile të kohës, kur për të kaluar në disa ngushtica me dredha duhej të ktheheshe disa herë pas. lufte.

Kaman Çipi ishte një burrë me karakter të qëndrueshëm shqiptari. Ai, në një autobiografi, që unë e disponoj, pat shkruar: JAM RRITUR ME EDUKIMIN FAMILJAR TE JEM ARMIK I GËNJESHTRËS, I VJEDHJES, I KRIMIT, I KURVËRISË, I SPIUNAZHIT, I MASHTRIMIT DHE I TRADHTISË, PRA TË JEM MODEST, PUNËTOR, PA FRIKË DHE PA LAJKA  .

 Kaman Çipi vdiq, herët në mëngjesin e datës 9 prill 1953, në shtëpinë e Muradies Vlorë dhe u varros në kodrën e Kuzbabasë, në varrezën rezervate të Teqesë Bektashiane. Vari i mermertë, me eshtrat e tij të mbledhura, disa vjet më vonë, u rikonstruktua dhe u transferua, për nevoja publike, në varrezat e përbashkëta të Babicës Vlorë, parcela nr.4. Ai, po atje është dhe sot, i përbashkët me djalin e tij të madh, Bektashin.      

Nga Libri biografik “JETA IME”

 

 

Banoj në pronën e rikthyer,
Meditoj e ndjej mirënjohje,
Sjell ndër mend babin e vyer,
I ka hak dy fjalë për njohje:

E kujtoj plot nostalgji
Me mandolinën në dorë,
“Kënga në korr e shoqëri”,
Traditë e bukur në Vlorë.

E nisnin nga Skënderbeu,
Për Pavarësinë, këndonin,
Dëgjohej, sa tundej dheu,
Të lumtur kohën e shkonin.

Kënaqësi, kur ligjëroje,
Nga fjalët, të admironin,
Në ballë shokësh qëndroje,
Me zemër e shpirt të donin.

Dorëdhënës, humanitar,
Dasma, radhas financove,
Kapitalin duke ndarë,
Pajë e pare u dhurove.

Sa me Nolin, me Avniun,
Nuk dije se ç’ ishte frika,
Shoqëri me më fisnikun,
Sy e vesh nga Amerika!

I ditur e i shkolluar,
Poliglot, gjithkund shëtitur,
Besimtar i përbetuar,
Bektashi i përgatitur.

Me pasuri dhe irate,
Me shtëpi e prokopi,
Mjeshtër në disa zanate,
Me automjete e tregti.

Dhe në Luftën për Çlirim,
Familjarisht kontribuove,
Me pjesëmarrje dhe dhurim,
Krye shokësh militove.

Komunistët rus e sllavë,
Sollën të tjera avaze,
U përhap kudo si llavë
Diktaturë e luftë klase.

Mall e prona shtetëzuar,
Kazmë, në kisha e xhami,
Gjithçka kolektivizuar,
S’flisje dot, nuk kish liri!

Presion e dhimbje provove,
Dyqane e shtëpi, shtetëzuar,
Ti, në presë të briskut shkove,
Gjendja e kombit, e mjeruar:

 

Po vendosej diktatura,
Vriteshin prijës e deputetë,
Të pafajt të torturuar,
Kriminelët në pushtet!

*
Nuk durove dot më jetën,
Vdekja të dukej shpëtim,
Pa mbushur pesëdhjetetetën,
Ike në botën pa kthim!

Tiranë, më 9 Prill 2019

 

Comment

*