Pas 17 vitesh në SHBA, deportohet babai shqiptar – arrestohen e shoqja dhe një nga djemtë

Vitor Pukri, baba i tre fëmijëve me banim në Clifton, New Jersey, u deportua për në Shqipëri, ndonëse kishte 17 vite që jetonte në SHBA.
Dy muaj më parë ai kishte pranuar të takohej me oficerë të emigracionit duke menduar se po e intervistonin për të ndrequr statusin e tij në SHBA. Qysh atëhere ka qenë në burgun e emigrantëve të paligjshëm.
Pukri bëhet kështu shqiptari i radhës që deportohet nga SHBA për shkak të mungesës së një statusi të ligjshëm.
Ai jetonte që nga viti 2001, në SHBA, dhe në 2011 ishte vendosur në Clifton. Avokati i tij tha se Bordi i Apelit ia refuzoi kërkesën për të ndaluar deportimin dhe brenda pak orësh e hypën në avion. “Është e pabesueshme që ndodhi në kohë rekord”, tha ai. “Nuk kam parë ndonjë rast që ta dëbojnë brenda 24 orëve”.
Procedurat mund të jenë përshpejtuar për shkak të linjës së fortë të Presidentit Donald Trump lidhur me emigrantët pa status ligjor.
Një zëdhënës për emigracionin tha se bashkëshortja e tij, Neta Pukri dhe një nga djemtë, Mikel Pukri u arrestuan sepse u përpoqën të pengonin me forcë deportimin duke sulmuar në aeroport oficerët e emigracionit.
Avoktai tha se do të kërkonte lirimin e Neta Pukrit për arsye humanitare, sepse ka një vajzë 11-vjeçare që ka nevojë për praninë e një prindi dhe e cila është nënshtetase amerikane.
Përveç Mikelit, 21-vjeçar, familja Pukri ka edhe një djalë tjetër 26-vjeçarin, Bepin. Nuk dihet se cili do të jetë tani fati i tyre. (r.a./Illyria)

Comment

*