Bahtiri akuzon Lushtakun e Veselin për blerje dhe vjedhje votash

Prishtinë, 23 tetor 2017 – Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kandidat i AKR-së për mandatin e dytë, i ka akuzuar Kadri Veselin dhe Sami Lushtakun për blerje dhe vjedhje të votave në zgjedhjet e së dielës.

Në një intervistë për KTV-në, Bahtiri ka thënë se deri të enjten pasdite ai ishte së paku 12 për qind përpara Valdete Idrizit, kandidates së PDK-së për kryetare të komunës, me të cilën ai do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve

“Këtë jo vetëm që e thoshin sondazhet, por e ka pranuar edhe vetë PDK-ja”, ka thënë Bahtiri, përcjell Koha.net.

“Por pastaj erdhi PDK-ja, me mënyrat që di të bëjë më së miri, dhe e përmbysi rezultatin. Filloi një ndryshim radikal, duke e bërë atë që e ka bërë edhe më parë. Ishte ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, që vinte çdo ditë. Ishte një bashkëngjitje e fuqishme, ndanin edhe mjete, ndanin edhe dru, me të cilat prekej çdo familje. Unë nuk doja të besoja, por ajo ishte ashtu”, ka thënë ai.

Bahtiri ka thënë se njerëz të PDK-së u kanë bërë presion votuesve edhe para qendrave të votimit.

“Sigurisht se kur qytetari i sheh që janë mbledhur 50-60 qytetarë në qendra të votimit është njëfarë presioni”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se ka fakte për këtë.

“Kemi fotografi. Janë njerëz të Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut ata që janë ulur apo kanë qëndruar në këmbë në oborre të Qendrave të Votimit. I njeh krejt Mitrovica. I njeh edhe Policia e Kosovës. A nuk është ky presion?”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se pa përfshirjen e krerëve të PDK-së, valdete idrizi nuk do të dilte e para në zgjedhjet e së dielës.

“Të jeni të bindur se ajo ishte 13 për qind jo më shumë, në të gjitha sondazhet. Të gjitha matjet e kanë vendosur në 13 për qind. Me fuqizimin nga Sami Lushtakut dhe Kadri Veselit ndodhi kjo”, ka thënë Bahtiri, përcjell Koha.net.

Kryetari aktual i Mitrovicës ka shprehur dyshime se në zgjedhjet e së dielës ka pasur edhe vjedhje të votave, sipas sistemit “treni bollgar”.

“Dje ishin edhe 8 fletëvotime që u zhdukën dhe nuk e dimë se si ka shkuar puna me to. E pamë që eskaloi situata dhe më pas reaguam”, ka thënë ai dhe ka theksuar se në balotazh nuk do të lejojë që të përsëritet kjo gjë.

“Nuk do ta lejoj as Lushtakun e askënd që të bëjë presion mbi qytetarët e mi. Ata duhet të jenë të qetë dhe të lirë të votojnë për kë ata duan dhe do ta shihni. Këtë duhet ta marrë përsipër Policia e Kosovës, e cila e ka obligim që të garantojë sigurinë”, ka thënë Bahtiri.

Bahtri është shprehur i bindur se ai do të fitojë në balotazh.

“Balotazhi është formal. Në Mitrovicë nuk flitet për asnjë fitues tjetër pos Agim Bahtirit. 1 milion për qind, kryetar i Mitrovicës do të jetë Agim Bahtiri dhe askush tjetër”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se do t’i vitojë së paku 5 mijë vota më shumë se kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi.

Bahtiri ka theksuar se Valdete Idrizi nuk do të ishte kryetare e vërtetë e Mitrovicës, edhe sikur t’i fitonte zgjedhjet.

“Edhe sikur të zgjidhej kryetare, Valedete idrizi nuk do të ishte kryetare e Mitrovicës. Mitrovicën do ta udhëhiqnin të tjerët”, ka thënë ai.

“Agim Bahtiri do të jetë zot shtëpie i Mitrovicës, sepse Mitrovicës i duhet një zot shtëpie”, ka theksuar ai.

Bahtiri ka thënë se ende nuk ka ndonjë preferencë për koalicion me ndonjë parti politike para raundit të dytë të zgjedhjeve.

“Tash për tash nuk jam i interesuar për balotazh me askënd”, ka thënë ai.

Agim Bahtiri ka folur edhe lidhur me shkëputjen e AKR-së nga koalicioni me LDK-në e Alternativën dhe hyrjen e saj në koalicion me PAN-in. Ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk po lëvizte përpara për krijimin e qeverisë së përbashkët të koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes.

“Ne i kishim 61 deputetë, plus tre deputetë të Nismës për Kosovën. Po, Isa Mustafa nuk po lëvizte. E kam lutur, i kam thënë se nuk po duam asnjë ministri, vetëm të bëhet Qeveria. Nuk ka dashur”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë se personalisht është pajtuar që AKR-ja t’i bashkohej koalicionit PAN për krijimin e qeverisë, për shkak të Ramush Hardinajt.

“Unë kam hyrë sepse ka qenë Ramush Haradinaj aty. Për asgjë tjetër nuk kam hyrë”, ka thënë Bahtiri. (r.m.)

Comment

*