Bajrami: Investimet e huaja kanë rënë për shkak të situatës politike

Prishtinë, 30 dhjetor 2016 – Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke e prezantuar raportin vjetor të punës së ministrisë, ka thënë se vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë, në periudhën janar –shtator, ka qenë 184 milionë euro.

Ajo ka thënë se rënia e investimeve të huaja direkte është pasojë e situatës politike në vend.

“Situata politike jostabile ka ndikuar tek rënia e investimeve të huaja, pavarësisht përpjekjeve jo vetëm të diskterit tonë, por edhe të diskterëve të tjerë. E dini që politikat fiskale asnjëherë nuk kanë qenë më të favorshme për bizneset dhe ambienti i biznesit, jo vetëm sipas neve si Qeveri, por edhe sipas raporteve ndërkombëtare, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë në Kosovë. Megjithatë, kemi pasur një rënie të investimeve të huaja, pikërisht për shkak të imazhit dhe të destabilitetit politik të brendshëm”, ka thënë ministrja Bajrami.

Ajo ka thënë se pret që në vitin e ardhshëm të rriten investimet e huaja direkte, ngase parashihet edhe rritja ekonomike mbi 4 për qind.

Duke folur për dështimin e tenderit për privatizimin e qendrës turistike të Brezovicës, Bajrami ka thënë se ky ka qenë dështim i kompanisë fituese që të sigurojë garancinë financiare.

“Sa i përket projektit të Brezovicës, ne e kemi shpjeguar disa here se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kryer të gjitha të gjitha obligimet. Ka qenë, në fakt, dështim i konzorciumit dhe investitorit, i cili nuk ka arritur assesi që të mobilizojë 163 milionë euro”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në përpjekje për gjetjen e një investitori për Brezovicën.

“Ne jemi duke punuar tash, duke e ridizajnuar projektin. Kemi edhe ndihmën e USAID-it rreth kësaj dhe po presim që në një të ardhme të afërt ta kemi edhe një tentativë tjetër për gjetjen e një investitori”, ka shpjeguar ministrja Bajrami.

Ajo ka thënë se sfidë për Kosovën mbetet edhe bilanci tregtar negativ me botën.

“Ndoshta nuk jemi shumë të kënaqur me raportin import-eksport. Kjo ende, sot e kësaj dite, mbetet një sfidë, mirëpo po bëjmë shumë përpjekje që t’u ndihmojmë ndërmarrjeve tona për të rritur kapacitetet e tyre prodhuese, duke investuar në zonat ekonomike dhe duke bartur diku 30 për qind të kostos së tyre për fillim të biznesit”, ka thënë Bajrami.

Ministrja e Bajrami ka thënë se për vitin e ardhshëm është rritur fondi i rezervave për naftë. (r.m.)

Comment

*