Bajrami: Nuk ka buxhet për të bërë pagesat e dyta për punëtorët

Prishtinë, 3 korrik 2020 – Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, pa rishikim të buxhetit, i cili tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka thënë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Bajrami ka thënë se në Pakon Emergjente Fiskale, me vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, ndër të tjera, është paraparë që punëtorët që i kanë humbur vendet e punës për shkak të masave emergjente për parandalimin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit, të përfitojnë nga 170 euro dy muaj (prill dhe maj). Deri më tani është bërë pagesa vetëm për një muaj.

Nga Pakoja Emergjente Fiskale, deri më tani,  janë shpenzuar 80 milionë euro. Tani, Kosova i ka në dispozicion vetëm rreth 1.5 milion euro për të disbursuar.

Ndërkohë, ministrja Bajrami ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për kredi, të arritura nga Qeveria e Kosovës që udhëhiqej nga Albin Kurti. Ajo ka thënë se këto marrëveshje ndihmojnë buxhetin e Kosovës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pesë marrëveshje për kredi kanë vlerë 228.1 milionë euro, kurse dy marrëveshje bashkëfinancimi kanë vlerë 61 milionë euro.

(r.m.)

Comment

*