Bajrami: Do t’i kemi mbi 40 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë

Prishtinë, 12 prill 2017 – Mocioni për votëbesimin e Qeverisë, i iniciuar nga Nisma për Kosovën, tashmë ka filluar të nënshkruhet nga deputetë të partive opozitare.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka shfaqur shpresën se brenda javës do të mblidhen nënshkrimet e 40 deputetëve.

“Brenda javës së ardhshme do t’i kemi mbi 40 nënshkrime. Ideja e Limajt për mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë është përkrahur nga ana e opozitës.  Opozita do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat për ta bërë rrëzmin e Qeverisë”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se opozita është në kontakt edhe me deputetë të pozitës dhe se, sipas saj, disa deputetë të koalicionit qeverisës kanë bërë të qartë se janë kundër Qeverisë Mustafa.

“Ne kemi kontakte me deputetët nga pozita dhe me ata të pavarur, të cilët vazhdimisht kanë qenë kritikë të kësaj qeverie, prandaj jemi në kontakt, nuk do të thotë që mocioni të fillojë sot dhe të mbarojë sot. Ne jemi duke i kontaktuar edhe deputetët tjerë”, ka thënë ajo në emisionin FaktPlus, në Tribuna Channel.

Ndërkohë, Nait Hasani, deputet i PDK-së, është deklaruar pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë.  Mocionin e kanë mbështetur edhe Shukri Buja dhe Gëzim Kelmendi.

Opozitës i duhen 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovësku, në rendin e ditës të së cilës do të ishte mocioni i votëbesimit të Qeverisë.

Për rrëzimin e Qeverisë nevojiten votat e së paku 61 deputetëve. (r.m.)

Comment

*