Bajrami: Zgjedhjet janë të pashmangshme, kjo qeveri do të bjerë vetë

Prishtinë, 3 mars 2018 – Qeveria e Kosovë, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është duke qëndruar në “këmbë të qelqta”, prandaj opozita nuk do të ketë nevojë të angazhohet për ta rrëzuar, pasi këtë do ta bëjnë ata që janë pjesë e saj.

Kështu ka deklaruar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

Ajo ka thënë se vendimet e marra në baza politike, mungesa e kuorumeve në seanca e komisione janë disa nga arsyet pse duhet të mbahen sa më shpejt zgjedhjet nacionale.

Sipas saj, ka probleme në mes të partnerëve të koalicionit dhe se të gjitha vendimet e marra deri më tani janë të pastra politike në shërbim të “xhepave” të klasës politike.

“Se sa është Qeveria e fuqishme besoj që e tregojnë numrat e saj, kemi një qeveri e cila qëndron në ‘këmbë të qelqta’, ka vetëm 61 numra kuorumet asnjëherë nuk bëhen nga partitë e koalicionit në seancë ashtu edhe në komisionet funksionale kuorumet janë shumë të vështira për tu bërë, siç raportohet ka probleme në mes të partnerëve të koalicionit”, ka thënë Bajrami për Ekonomia Online.

Ajo ka theksuar se nuk për koalicioni aktual qeverisës nuk janë problem vetëm numrat, por edhe vendimet që po i merr ajo.

“Nga ajo çfarë kemi parë, vendimet që janë marrë deri më tani nga Qeveria nuk janë vendime të cilat çojnë në mirëqenien e qytetarëve, janë vendime të cilat janë të pastra politike dhe janë për xhepat e klasës politike e cila janë në qeveri”, ka thënë ajo.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka përmendur disa prej vendimeve shumë problematike të Qeverisë Haradinaj.

“Numri enorm i zëvendësministrave, vendimi për ngritjen e pagave, shpërndarja pa kurrfarë kriteri i mjeteve nga rezervat shtetërore besoj që janë disa nga indikacionet që na tregojnë se sa më shpejtë që kjo qeveri të shkojë dhe të mbahen zgjedhjet të lira e demokratike është më mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, pa përmendur këtu temat e mëdha të cilat e presin këtë qeveri”, ka thënë ajo.

“Në bazë të kauzave për këto tema të mëdha këta kanë ardhur në pushtet dhe nuk po mund t’i adresojnë. Besoj që nuk ka me pasë shumë nevojë për angazhim të opozitës. Do të jenë pikërisht këta që do ta rrëzojnë vetëveten”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami. (r.m.)

Comment

*