Ballafaqimin e dy botëve që kam përjetuar personalisht e konsideroj si privilegj

Nga intervista me shkrimtaren shqiptaro-amerikane Albana Melyshi Lifschin dhene studiuesit Gjon Marku, autor i librit ‘Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën’

Albana M Lifschin

 

Albana Melyshi Lifschin gazetare, poete, shkrimtare dhe perkthyese, ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, (1974). Ka punuar një kohë të gjatë si redaktore dhe përgjegjëse redaksie në TVSH, dhe jeton e krijon në Nju Jork që prej vitit 1992. Autore e 14 librave ne prozë dhe poezi si edhe “Udhëtim në Historinë e Amerikës’, botuar në 2003 e ribotuar në 2006 dhe 2010 nën kujdesin e Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve e Kosovës; autore e librit ‘Children of Kosova-Stories of Horror’, aprovuar si tekst shkollor nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut (2000) si edhe përkthyese e dy romaneve të autorëve amerikanë bestseller.

 

Pyetje: Ju jeni mbesë Mirdite, nga një familje me emër – e Melyshajve, me tradita të shquara atdhetare. Edhe pse e rritur larg nga trevat e asaj krahine, ju keni një dashuri të veçantë për ato troje, për zakonet për folklorin për atë veshje të pashoqe. Si është realizuar tek ju kjo ngjizje?

Përgjigje: Unë kam lindur në qytetin e bukur të Vlorës dhe jam rritur e shkolluar në Tiranë, por gjyshja ime, Nënë Dava, sic e thërrisnin të gjithë në shenjë respekti, pati një influencë të madhe në formimin tim që në fëmijëri dhe më pas në adoleshencë. Ishte një grua e rrallë, dhe unë pata fatin të isha mbesa e saj. Rrëfimet e legjendat edukuan tek unë dashurinë për Mirditën dhe historinë saj. Gjyshja më zhvilloi fantazinë dhe rriti tek unë nderimin për ata malsorë krenarë, për krahinën që s’u përkul asnjëherë Turkut, që s’i pagoi kurrë taksa, por edhe për shtëpinë e madhe bajraktare të Melyshajve. Gjithëçka më ka treguar gjyshja i kam ruajtur të gjalla edhe sot e kësaj dite. Lidhja e bukur me gjyshen time është hedhur besnikërisht në librin “Yjet nuk janë të kuq”. Dhe për ta bërë më konkrete nëna na kishte vizatuar shtëpinë e madhe të bajraktarit Melyshaj, pranë oborrit të së cilës kalonte shtegu i udhëtarit dhe nevojtarit. Qe një shtëpi ku mikpritja e mbante derën hapur në çdo kohë. Familja mbante në gjirin e saj edhe një çift pleqsh, të pa mbështetje, dhe i trajtonte njëlloj si pjestarë të familjes. Gjyshja tek më tregonte histori të vjetra, përalla e legjenda të krahinës, më mësoi ndërkohë, si të bëj punë-dore që në moshë të njomë. Më mësoi proverbat e para. Më dha këshillat e para. Gjyshja ime ishe fisnike e mencur dhe stoike. Një herë, kur hyra në gjimnaz, e pyeta se sa vjet shkollë kishte bërë. Ajo buzëqeshi e m’u përgjigj: “Kam bërë 12 vjet shkollë ”. Vonë nëna ime, më ka spjeguar se ç’donte të thoshte gjyshja. Ishin 12 vjetët e internimit – “kursi i jetës’, i gjatë dhe i komplikuar nga i cili kishte mësuar shumë.

 

Pyetje: Diktatura komuniste familjen tuaj e përçau, e përfoli, e kalbi internimeve e më pas e vendosi Pal Melyshin në ballin e luftëtarëve të ditëve të bardha që solli dhe për Mirditën. Sistemi e shpalli Pal Melyshin “Hero të Popullit”. Ju si e keni përjetuar gjithë legjenden e Pal Melyshit?

Përgjigje: Unë kam qënë 5 vjeçe, kur Pali u shpall hero. Mbaj mend që atë kohë e gjithë familja jonë u transferua nga Vlora në Tiranë. Për herë të parë mësova që kisha edhe një gjyshe tjetër, të cilën s’e kisha parë kurrë e për të cilën nuk kisha dëgjuar kurrë. Kjo ishte nënë Dava, të cilën e pashë për herë të parë kur nëna na shpuri në “shtëpinë” e saj, kur sapo kish dale nga internimi. Këtë moment e kam përshkruar hollësisht në librin që përmënda më lart. Pas kërkesës së gjyshes për t’u bashkuar me familjen e saj, ne u bëmë bashkë në Tiranë. Në Rrëshen mbaj mend të kem qënë një herë kur isha fëmijë dhe dy herë të tjera si studente e gazetarise. Në 1974 kam botuar një përshkrim të frymëzuar në 30 vjetorin e çlirimit të Mirditës. Por siç merret me mend jeta dhe ëndërat e mia për të ardhmen ishin lidhur kryesisht me Tiranën, ku u rrita. Në to nuk parashikohej as vajtja në NY, as edhe një dashuri e përtrirë për Mirditën.

 

Pyetje: Vitet 90-të shënuan edhe për ju një përmbysje të atij mentaliteti e realiteti që propagandohej nga sistemi i kaluar. Ju në atë vit jeni njohur dhe me gjyshin tuaj Nikollën – ish oficer – i arratisur- prej Shqipërie prej 45 vitesh, por me një veprimtari botimesh si autor librash. Me të ne Nju Jork nuk banuat gjatë se ai ndërroi jetë shpejt. Ju ishit në varrimin e tij e më pas jeta juaj dhe e djalit u lidh me Nju Jorkun. Sa ka ndikuar tek ju kjo njohje e afërt me të. Po vërtetësia e fakteve historike të njohura nga ju dhe ato të tij për Mirditën, a u ndryshuan?

Përgjigje: Përmbysja e mentalitetit apo adoptimi i një mentaliteti te ri tek unë ndodhi në mënyrë graduale. Vajtja në Nju Jork, jeta në qytetin ku kish banuar gjyshi, në lagjen e shqiptarëve, leximi i librave të tij, përballja me botkuptimin amerikan mbi jetën, shoqërinë, të gjitha ndihmuan në kompletimin tim. Ballafaqimin e dy botëve që kam përjetuar personalisht e konsideroj si privilegj. Mësova që njeriu duhet të jetë mëndjehapur në përqafimin e mendimeve, ideve por mbi të gjitha mbi Të Vërtetën.
E vërteta s’mund të jetë kurrë e vërtetë nëse nuk jepet e plotë. S’mund të ketë të vërtetë të cunguar. Në hapjen e pjesës së dytë të librit “Yjet nuk janë të kuq” kam vënë një citat të gjyshit që thotë:
“Për me kriju një histori shqiptare të pastër nuk duhet me mshef pas perdes as të mirat e as të ligat e njerëzve të mëdhenj për arsye partiake ose oportunizmi. E vërteta asht e vetmja rrugë me bindë opinionin pasardhës.”
Në faqet e librave të gjyshit, Nikollë Melyshit, gjeta armata njerëzish të pushkatuar pa gjyq nga pushteti komunist, për shkak të bindjeve të tyre për Shqipërinë e pasluftës, e donin atë thellësisht shqiptare, pa influencën e të huajit. Nuk duhej të konsiderohej ‘krim’ qënia ‘nacionalist’, apo të konsideroheshe ‘patriot’ sepse bëje siç thosh Rusi. Gjatë luftës babai i Palit iu përgjigj thirrjes për t’u bashkuar me brigadat partizane (Pali gjithashtu në radhët e tyre) por nuk mund të binte dakort që të luftonte nën simbolet e komunizmit rus, dhe vuri ketë kusht para Tuk Jakovës e Mehmet Shehut, që kishin pushuar tek kulla e tij sëbashku me njësitë partizane: “Vij me ju në luftë si nacionalist, por dorën grusht nuk e baj dhe yllin e kuq nuk e mbaj”. Ata e pranuan kushtin e tij dhe ‘pagesën” ja bënë pas luftës. I dogjën kullën dhe i internuan të gjithë familjen 25 vetë që u ndodhën atë mëngjez në shtëpi dhe dy prindërit e vjetër(bajraktarin e njohur Gjon Melyshi me gruan) që vdiqën nga vuajtjet në internim. Ndërkohë qëllimi im ishte që figurën e Palit ta jepja në një një dritë njerëzore dhe reale. Heronjtë në vetvete janë njerëz idealistë, besnikë të idealeve të tyre, jo heronj të Partive e të propagandës së tyre. Ata u përvetësuan prej saj. Filmi ‘Operacioni Zjarri’ kushtuar Palit është një film propagandë, me fare pak të vërteta. Këtë fillova ta kuptoj që atë ditë që u dha premiera e tij në Pallatin e madh të Kulturës, kur ndjeva psherëtimën e gjyshes sime në krah. “Oh, si nuk plas zemra!”
Më vonë e mira gjyshja ime më pat thënë:“Babai i Palit kurrë s’ka dashur ta vrasë të birin. Ai e pat lënë të lirë në rrugën e vet. Ata të dy dolën partizanë.

 

Pyetje: Në veprimtarinë tuaj shkrimore si gazetare e viteve 70-80, keni shkrime që pasqyrojnë jetën dhe punën në trevën e Mirditës. Po më pas, me botimin e librave tuaj, sa vend ka zënë ajo psikologji sidomos në Amerikë, ato personazhe mirditas në krijimtarin tuaj?

Përgjigje: Vitet ‘70 pas mbarimit të Fakultetit të Gazetarisë, kanë qënë më shumë publicistike. Herë a herës ndonjë tregim apo skicë letrare në to, sidomos në gazetën ‘Zëri i Rinisë” ku u emërova. Librat e fundshekullit dhe shekullit të ri, kanë qënë reflektime të jetës së së re në Amerikë, tregime të përmbledhura në librat ‘Takim me të papriturën’, ‘Ura mbi oqean’, ‘Kafe Shkodra e Nju Jorkut’ etj. Publicistika ime, kryesisht në formën e shënimeve të udhëtimit nga Atdheu, në ardhjet e mia të përvitshme nga Nju Jorku në Tiranë. Ishin mbresa nga zhvillimet shoqërore në vend. Në planin familjar qëndrimi i gjatë me mamanë , bisedat me të na shpinin sërish në të kaluarën. Nëna ime më kishte zëvendësuar gjyshen me kohë. Kujtimet e saj zunë vend në botimet e mia, ishin nga pjesët më interesante.

Pyetje:-Ju jeni cilësuar si pionere e letërsisë së emigrimit në Amerikë, por sa përqind ka zënë vend Mirdita apo mirditori në krijimtarinë tuaj.

Përgjigje: Ky përcaktim është bërë nga i ndjeri Prof.Peter Prifti, me banim në San Diego Kaliforni. Ai ndiqte rregullisht në gazetën ILLYRIA shkrimet dhe letërsinë time. Eshte e vertete që në pesë librat me prozë tema dhe personazhet e mi janë emigrantet shqiptarë të Amerikës pa dallim që luftojnë jo vetëm për te mbijetuar por edhe per të përqafuar një botkuptim të ri, atë amerikan.
Nuk mund të përmend krahina te veçanta. Por nga njohja me miqtë e vjetër të gjyshit në NYC jam frymëzuar për të shkruar krijimet e para. Kjo vihet re në disa tregime tek libri “Ura mbi oqean”. Janë ballafaqimet e para të emigrantit shqiptar me Amerikën, zhgënjimi nga ideja se në Amerikë bëhesh i pasur, se “të gjithë shqiptarët janë milionera “ etj. Kur një i mërguar i vjetër, mirditor i tha vëllait të porsa ardhur në Nju Jork se i kish gjetur punë në pastrime, ai u habit dhe i fyer ia ktheu: Pse për të të pastruar kam ardhur unë në Amerikë?”

 

Pyetje: Po lidhjet tuaja me emigrantët e tjerë mirditas të atjeshmë sa jua freskojnë ndijimin e familjes.

Përgjigje: Unë në Nju Jork gjeta respekt për gjyshin, Nikollën. Mësova që ai kafet i pinte me të birin e Gjon Mark-a Gjonit. Emigrantët e ardhur nga veriu i Shqipërisë njërit i drejtoheshin me ‘Kapedan’ e tjetrit , dmth gjyshit ‘Bajraktar”, si në të kaluarën dhe gëzonin respekt në komunitet.
Madje mbaj mend që kur më kërkuan një intervistë në radio, në ditët e para të mbërritjes në NYC, gazetari më njoftoi se dëshironte të më prezantonte si mbesën e Nikoll Melyshit. Mësova që para se gjyshi të kthehej për herë të parë në Shqipëri, pati mjaft miq të arratisur që i dhanë paralajmërime të kobshme për shkak të diktaturës komuniste që drejtonte jetën e vendit. Por ai nuk dëgjoi askend. Erdhi në vendin e vet, tek familja e vet, dhe qeveria e Ramiz Alisë e përzuri. Kur u kthye në NYC miqtë i kujtuan që e patën paralajmëruar , por ai s’i kish dëgjuar. Ishte burrë i mençur e s’bënte të gabonte. “Edhe njerëzit e mençëm mund të bajnë ‘stupid things’, u ish përgjigjur gjyshi. Por unë e ndjeja që atë e kishte shtyrë malli 45 vjeçar për atdhe, për familje. S’ka asnjë dyshim Malli per atdhe është i pamposhtur. Gjyshi pas ardhjes së parë erdhi përsëri në atdhe, në familjen e vet.

 

Pyetje kofidenciale: Cili është opinjoni juaj për librin ‘Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën’, librin e parë ju e kini.

Pergjigje : Mendoj që është kontributi juaj më i mirë që keni dhënë deri tani për vendlindjen, për njohjen e gjerë të saj, si krahinë e rëndësishme historike e atdheut. Në librin tuaj keni ditur të zgjidhni përsonalitete të shquara nga fusha e historisë, letërsisë, e intelektualë të dëgjuar që kanë dhënë kontributin e tyre në Mirditë, që kanë njohur nga afër njerëzit e saj . Eshtë e pamundur të mos e duash Mirditën dhe njerëzit e saj kur i njeh ata. Ka qënë një kohë kur shumëkush, e kërkonte Mirditën në hartë në veri të Tropojës, kur ajo nuk ishte më shumë se 1 orë e 15 minuta larg nga Tirana. Mua më pëlqen gjithnjë të citoj Famullitarin austriak, Fabian Barkatën, që shërbeu 10 vjet në Mirditë, kur thosh. “Kёtu… pranё kёtij populli tё thjeshtё e tё paprishun, te kёta njerёz, qё ata i quejnё gjysёm barbarё, duhet tё vijnё nё shkollё , tё nxanё se si në vobektёsi, nё thjeshtёsi andjesh nё shpresё te i madhi Zot e ka rrajёn lumtunia e çdo njeriu, veçanёrisht dhe gёzimi dhe mirёrojtja e popujve pёrgjithёsisht”.

Comment

*