Banka Botërore: Në energjitikë, privatizimi në Shqipëri dështoi

Në fund të bilancit 6-mujor vlerëson se fokusi tek energjetika duhet të jetë reformimi i sektorit: Të ulen humbjet të rriten arkëtimet

 

Aristir Lumezi

Banka Botërore në programin e saj për aktivitetin në vendin tonë, në fund të bilancit 6-mujor vlerëson se fokusi tek energjetika duhet të jetë reformimi i sektorit. Kjo duhet të ecë sidomos në drejtim të përmirësimit të furnizimit me energji. Në raportin e saj Banka Botërore thekson se “Privatizimi i shpërndarjes nuk ka dhënë rezultat sa u përket përmirësimeve të shërbimeve në shpërndarje. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të fituar qëndrueshmërinë e sektorit, në mënyrë që jo vetëm të ulet presioni mbi buxhetin, por të garantohet sa më shumë siguri për furnizim dhe të maksimizohet menaxhimi i të ardhurave, duke mundësuar që të ndërhyhet financiarit nga banka në këtë sektor”.

Nga ana tjetër, Banka Botërore gjykon se nivelet e humbjeve dhe të borxhit të keq janë rritur shumë, sidomos gjatë dy viteve të fundit. “Tarifat e shitjes me shumicë u miratuan për tri vite 2012 -2014, por Enti Rregullator i Energjisë dhe CEZ punuan në një mënyrë aspekt bashkëpunuese dhe nuk u përpoqën të arrinin një marrëveshje për të ardhurat që i duheshin sektorit, bazuar në rregulloren e privatizimit”, vlerëson raporti i Bankës Botërore.

Banka Botërore vlerëson se liberalizimi i tregut është zgjidhja e së ardhmes. Aktualisht, sektori energjetik përbëhet nga tre operatorë që dolën nga ndarja e kompanisë shtetërore në vitin 2008. Tregu u nda në prodhim, transmetim dhe shpërndarje, por sipas BB kjo nuk mjafton edhe pse është pozitive dhe duhet të ecet drejt futjes në treg të më shumë operatorëve.

Comment

*