BSH pret ditë të zeza për ekonominë, 17 mijë vende u humbën gjatë pandemisë

Fillimisht tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më tej Koronavirusi i kanë kushtuar dhe do ta rëndojnë ekonominë e Shqipërisë. Banka e Shtetit paralajmëron se tek në vitin 2021 do të mund të flitet për rritje të ekonomisë

Knid Ndrenika

Guvernatori i Bankës së Shtetit, Gent Sejko deklaroi se ekonomia e Shqipërisë po kalon dhe pritet të jetë në vështirësi për shkak të pasojave të Koronavirusit.

Shifrat zyrtare tregojnë se gjatë muajve të pandemisë janë humbur 17 mijë vende pune.

Në raportin përpara Kuvendit, zoti Sejko theksoi se Shqipëria rrezikon gjithashtu rritjen e kredive të këqija.

Sipas Guvernatorit Sejko, rënia do të vazhdojë për të pritur një përmirësim tek në vitin 2021:

“Ekonomia shqiptare humbi rreth 17 mijë mijë vende pune, ndërsa norma e papunësisë u rrit në nivelin e 11,4 për qind. Ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të mbetet në territor negativ në 2-3 tremujorët në vijim dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021”.

Guvernatori kujtoi ndërkaq se edhe tërmeti i 26 nëntorit 2019 i dha goditje të fortë ekonomisë që humbi ritmin e rritjes.

Shqipëria e kishte 2,2 për qind rritjen ekonomike në 2019 krahasuar me 4.1 për qind në 2018.

Comment

*