Bankat e Kosovës shtyjnë edhe për tre muaj pagesat e kësteve të kredive

Prishtinë, 22 prill 2020 – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka aprovuar vendimin e bankave komerciale në Kosovë që të shtyhen edhe për tre muaj të tjerë pagesat e kësteve të kredimarrësve.

BQK ka bërë të ditur se bankat komerciale kanë vlerësuar se vazhdimi i masave kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit i ka vënë në vështirësi huamarrësit e bankave, të cilët kanë bërë kërkesë për shtyrjen e afatit të pagesës së kësteve.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bashkë me Shoqatën e Bankave të Kosovës, kanë marrë vendim që për huamarrësit (biznese dhe individë), të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, t’iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Në ndërkohë, bankat duke vlerësuar vazhdimin e masave kufizuese të vendosura dhe vështirësitë e raportuara nga huamarrësit, kanë bërë kërkesë për shtyrjen e pezullimit të pagesave të kësteve për kredi për një afat prej tre muajsh, gjë të cilën BQK-ja e ka aprovuar”, thuhet në një njoftim të BQK-së.

Kjo është hera e dytë që bankat komerciale e shtyjnë afatit për pagesën e kësteve të kredive. Afati i pagesës së kësteve të kredive ishte shtyrë deri më 30 prill, me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Transfereve.

Ndër asociacionet e bizneseve që kanë kërkuar shtyrjen e afatit të pagesave të kësteve të lredive ka qenë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. Kryetari ekzekutiv i këtij asociacioni, Arian Zeka, ka deklaruar se bizneset nuk janë në gjendje t’i kryejnë detyrimet ndaj bankave, për shkak se ato janë goditur nga masat e ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit. (r.m.)

Comment

*