Bankat në Shqipëri ashpërsojnë kriteret për kredi dhe ngrisin interesat

Tiranë, 24 prill 2018 – Të gjithë ata qytetarë dhe biznese që kanë dashur të marrin kredi gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë ndeshur me kritere më të ashpra nga bankat e nivelit të dytë.

Banka e Shqipërisë konstaton se situata e përgjithshme e kreditimit në këtë periudhë nuk ka qenë pozitive, ndërsa pritet një përkeqësim i mëtejshëm edhe në muajt në vijim, raporton OraNews.

Standartet e kredisë për individët u shtrënguan sidomos për kreditë për blerje banese dhe për konsum.

Ndërsa faktorët që ndikuan në këtë situatë raportohet të jenë kreditë me probleme, kërkesa për më shumë kolateral si dhe tregu i pasurive të paluajtshme.

Gjatë tremujorit të parë të vitit me më shumë vështirësi në marrjen e një kredie janë hasur edhe bizneset e vogla dhe të mesme.

Faktorët me ndikim shtrëngues në standardet e kredisë për biznesin ishin problemet specifike të sektorit ku vepron biznesi, perceptimi i bankave për situatën ekonomike si dhe kreditë me probleme.

Biznesi i madh ka qenë më i favorizuari në lidhje me dhënien e kredive.

Banka e Shqipërisë raporton se në tremujorin e parë të 2018 standartet për këtë kategori kanë mbetur të pandryshuara.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kreditimi ka pësuar një ulje të lehtë përgjatë muajit shkurt të këtij viti me rreth 1 miliard krahasuar me janarin. (r.m.)

Comment

*