Barbariteti i prerjes dhe zierjes së kokave të njeriut

Daut Dauti

Edith Durham ka shkruar për prerjen e kokave si një veprim barbar që është zbatuar në Evropë deri në shekullin XIX, kurse në Ballkan edhe gjatë fillimit të shekullit XX.

Durham ka dëshmuar me fotografi se në luftërat ballkanike malazezët dhe serbët ua prenin kokat shqiptarëve dhe buzët së bashku me hundën. Ata këtë barbari e bënin kur viktimat e tyre kishin vdekur.

Durham, me siguri, ka menduar se luftërat ballkanike kanë shënuar fundin e këtij akti jonjerëzor. Në fakt, kjo barbari në formë edhe më mizore e më bizarre, është shprehur edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sllobodan Jovanoviq, një ndër komandantët e njësive speciale të policisë serbe që kishte vepruar dhe kishte kryer  krime të luftës në Kosovë, ka dëshmuar se si anëtarët e njësisë së tij kanë prerë koka. Fjala është për rastin që kishte ndodhur në Rahovec, kur një polic serb ia kishte prerë kokën një shqiptari dhe pastaj atë e kishte zier për disa ditë, për t’ia nxjerrë dhëmbët e arit dhe nga kafka kishte krijuar llampë tavoline.

Ky është rast që i tejkalon të gjitha barbaritë.

Në anën tjetër, rasti dëshmon për pakufishmërinë e mendjes së njeriut që e shtyn të veprojë në mënyrë të paimagjinueshme jonjerëzore.

Në fakt, prerja dhe zierja e kokës nuk ka ndodhur vetëm në Evropë. Një dëshmi të këtij barbariteti e sjell edhe Simon Murray, një anglez i cili ka qenë ushtar, më vonë edhe oficer, i Legjionit Francez për të Huajt. Njësia e Murray-it ka vepruar në Algjeri, gjatë luftës së këtij vendi për pavarësim nga Franca. Përjetimet e tij ai i përshkruan në librin autobiografik “Legionnaire” (Legjionari). Ky libër ka shërbyer si skenar për filmin “Deserter” (Dezertori) që është gjiruar në vitin 2002, në regji të Martin Huberty-it.

Murray dëshmon se si francezët e “kulturuar” i persekutonin dhe i vrisnin në mënyrë barabare popullatën civile algjeriane.

Ai dëshmon edhe për një rast të ngjashëm me këtë të Rahovecit. Disa oficerë francezë, kokat e prera i ziejnë në një kazan për të bërë supë ose gjellë. Këtë e bëjnë me qëllim që t’i shpotisin ushtarët.

Mendja që ndikohet nga propaganda armiqësore e shtyn “njeriun” ta konsiderojë armikun si jonjeri ose si shtazë, shtyn edhe në veprime të tilla kaq barbare.

Comment

*