Barometri Kosovar i Sigurisë: Shqipëria vendi më miqësor, Serbia kërcënimi më i madh

Prishtinë, 9 shkurt 2018 – Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni Special për Politikën e Jashtme të Kosovë dhe Dialogun me Serbinë.

Edhe në raportin e sivjetmë janë përmbledhur rezultatet e perceptimeve të respodentëve lidhur me partnerët strategjikë të Kosovës, si edhe perceptimet ndaj shteteve rajonale, ndaj akterëve kryesorë në nivel global dhe ndaj strukturave multilaterale, siç janë BE dhe NATO.

Rezultatet e Barometrit 2017 rikonfirmojnë trendin e qëndrimit pozitiv ndaj Shqipërisë, i cili mbetet i pandryshuar përgjatë viteve. Mes të gjitha vendeve të renditura në pyetësorin e anketës, Shqipëria konsiderohet si vendi më miqësor ndaj Kosovës dhe aleati e partneri strategjik më i madh.

Njëkohësisht, rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë për vitin 2017 rikonfirmojnë prirjen e perceptimeve negative ndaj Serbisë. Rreth 90 për qind e qytetarëve e shohin Serbinë me lente negative. Për më tepër, një pjesë e madhe e të anketuarve e konsiderojnë Serbinë si një nga kërcënimet më të mëdha të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë.

Perceptimet ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi janë neutrale dhe pozitive. Siç duket, ndryshimi i Qverisë në Maqedoni është parë nga një kënd pozitiv, ndërsa sa i përket Malit të Zi çështja e demarkacionit nuk duket se ka arritur të ndryshojë qasjen e opinionit publik ndaj këtij shteti.

Kroacia perceptohet si vend mik, si aleat e partner strategjik për Kosovën, duke përfshirë edhe komponentën ushtarake.

Ndërkaq, Bosnja e Hercegovina shihet si neutrale ndaj Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës perceptohen si shumë miqësore ndaj Kosovës. Shtetet e Bashkuara shihen përtej kornizës së marrëdhënieve të zakonshme dypalëshe. Ato perceptohen më shumë si një nga aleatët dhe partnerët strategjikë më të mëdhenj të Kosovës.

Ngjashëm perceptohet edhe Gjermania. Ajo renditet si aleati dhe partneri strategjik më i madh i Kosovës në Europë. Për më tepër, nga pikëpamja statistikore, 88.9 për qind e të anketuarve e cilësojnë Gjermaninë si shtet shumë miqësor ndaj Kosovës.

Britania e Madhe dhe Franca shihen nga një prizmë pozitive, me tendencë të neutrales. Marrëdhëniet me Francën perceptohen si neutrale për shkak të interesit të vakët që ky shtet ka ndaj Ballkanit në përgjithësi, por edhe ndaj Kosovës në veçanti. Kurse, shpresat se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë po aq mbështetëse për Kosovën pas daljes nga BE-ja mbajnë trendin pozitiv ndaj këtij vendi ende shumë lartë.

Në anën tjetër, Turqia konsiderohet shihet si partner strategjik potencial për Kosovën. Ky perceptim pozitiv është i ndërlidhur ngushtë me faktorë ekonomikë, politikë por edhe kulturorë.

Kurse, qasja e Rusisë ndaj Kosovës konsiderohet si shumë armiqësore. Prirja negative, ngjashëm me edicionet e mëparshme të BKS-së, u atribuohet lidhjeve të ngushta diplomatike mes Rusisë dhe Serbisë, por edhe të perceptimet e të nivelit të lartë për influencën ruse në pjesën veriore të Kosovës.

Edhepse Kosova është vendi me më së paku gjasa për anëtarësim në BE, në krahasim me vendet e rajonit, rreth 93.6 për qind besojnë se Kosova duhet të anëtarësohet në BE, pavarësisht se ky mbetet “qëllim i largët”.

Krahas kësaj, 89.0 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova duhet të synojë anëtarësimin në NATO. Me përjashtim të një përqindjeje të kufizuar të të anketuarve, ndërveprimi i zgjeruar me NATO-n shihet si tregues pozitiv dhe si një shans për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Qasje diametralisht të kundërta ndajnë respodentët shqiptarë dhe ata serbë në lidhje me integrimet Euro-Atlantike të Kosovës. Në mesin e respodentëve serbë ka një tendencë për orientim drejt Rusisë.

Kur janë pyetur për Dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, shumica e të anketuarve, saktësisht 57.3 për qind (58 për qind te të anketuarve shqiptarë dhe 61 për qind e atyre serbë), kanë shprehur bindjen se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk kanë asnjë ndikim në normalizimin e marrëdhënieve. Kjo qasje vjen si pasojë e tensioneve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, deklaratat dhe narracioni nacionalist i politikanëve serbë kundrejt Kosovës, por edhe tendencat e Serbisë për të futur ndarjen e Kosovës në agjendën e dialogut.

Kur janë pyetur rreth Asociacionit të Komunave Serbe, rreth 73 për qind e të anketuarve kanë thënë se besojnë se Marrëveshja për krijimin e Asociacionit është shumë e dëmshme dhe do të ketë ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës.

Është e domosdoshme të përmendet këtu se një përqindje shumë e kufizuar e të anketuarve serbë, rreth 6 për qind, besojnë se Asociacioni do të ketë ndikim negativ në Kosovë. Duke u përballur me ngërçin politik, zgjedhjet e parakohshme, qëndrimet kundërshtuese ndaj Asociacionit dhe frikën nga ndikimi më i zgjeruar i Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, shumica e të anketuarve kanë perceptim negativ lidhur me Asociacionin.

Të pyetur se kush përfiton më shumë nga dialogu, secila palë ka shfaqur prirjet ta konsiderojë tjetrën si fituese. Ky perceptim është zhvilluar kryesisht për shkak të mungesës së informacionit të mjaftueshëm në lidhje me dialogun, për shkak të mungesës së besimit ndaj qeverive përkatëse dhe për shkak të dykuptimësisë konstruktive të BE-së. Rreth 48.5 për qind e të anketuarve shqiptarë kanë thënë se besojnë se Serbia përfiton më shumë se Kosova, duke iu referuar kryesisht perspektivës për anëtarësimin e Serbisë në BE, e cila kryeson procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, rreth 29.3 për qind e të anketuarve serbë besojnë se Kosova përfiton më shumë se Serbia nga dialogu.

(r.m.)

Comment

*