Basha: 20 Shkurti – dita e çastit vendimtar, misioni ynë – garantimi i demokracisë

Tiranë, 20 shkurt 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, në një takim me përfaqësues të ish-të përndjekurve në Shqipëri, e ka prezantuar sot programin e kësaj partie për këtë kategori.

Basha e ka zgjedhur për këtë 20 shkurtin, në 30 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.

“Sot është dita e një çasti vendimtar në historinë tone, si komb, është dita e mposhtjes së frikës nga komunizmi, në emër të demokracisë”, ka thënë Basha.

Kreu i PD-së ka theksuar se garantimi i demokracisë është vizion i PD-së/

“Misioni i para 30 vjetëve mbetet misioni ynë edhe sot, garantimi i demokracisë në Shqipëri dhe ecja përpara në këtë process, është shprehur Basha.

Fjala e rastit e Bashkës në takimin me përfaqësues të ish-të përndjekurve në Shqipëri:

Të dashur bashkëqytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të nderuar përfaqësues të shoqatave të përndjekurve politik, të nderuar përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të opozitës, të përndjekur dhe pasardhës të të përndjekurve politik, sot është dita e 30 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. Është dita e një çasti vendimtar në historinë tonë si komb, është dita e mposhtjes së frikës ndaj komunizmit në emër të demokracisë.

Në emër të progresit. Në emër të së ardhmes. Por beteja për demokraci sot vazhdon dhe është më e fortë se kurrë. Misioni i para 30 viteve, mbetet misioni ynë edhe sot.

Ndaj, apeli i parë i imi sot është se na duhet të luftojmë me të njëjtin pasion për demokracinë në Shqipëri, të luftojmë me të njëjtin përkushtim dhe angazhim për të cituar presidentin Biden në fjalën e tij të djeshme, në Samitin Virtual të Sigurisë në Mynih, sepse demokracia është diçka për të cilën duhet luftuar çdo ditë.

Misioni i Partisë Demokratike, misioni ynë është të garantojmë demokracinë në Shqipëri dhe të ecim përpara në këtë proces. As edhe një hap pas, por po kështu mos të tolerojmë hapa pas. Fatkeqësisht realiteti i 8 viteve është realiteti i kthimit pas në të gjitha proceset demokratike për shkak dhe prej Edi Ramës.

Ne nuk kemi heshtur përpara përpjekjeve të tij. Ne jemi përballur me bashkimet më të mëdha të shqiptarëve, në çdo rrafsh, në çdo fushë, në çdo shesh, në çdo qytet. Dhe nuk do të heshtim deri sa këtë betejë ta fitojmë në 25 Prill.

Kjo është një betejë që duhet bërë dhe duhet fituar. Dhe fitorja do të marrë formë në 25 Prill me fitoren e zgjedhjeve. E vetmja mënyrë për të garantuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë është fitorja e zgjedhjeve të 25 Prillit. Ndaj e kam thënë dhe e përsëris që 25 Prilli nuk është vetëm ditë zgjedhjesh e zakonshme për Shqipërinë. Është dita kur shqiptarët do të vendosin midis demokracisë dhe kursit të saj perëndimor apo bjerrjes së demokracisë dhe rënies në një autokraci me pasoja dërrmuese për shqiptarët e Shqipërinë. Është e qartë prasë ka në fakt vetëm një alternativë.

(r.m.)

Comment

*