Basha dënon arrestimin e protestuesve në Kukës

Tiranë, 1 prill 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka dënuar arrestimin e disa pjesëmarrësve të protestës kundër vendosjes së taksës rrugore në “Rrugën e Kombit”.

Basha ka thënë se arrestimin e ka udhëruar kryeministri Edi Rama, siç është shprehur, “për të frikësuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës”.

“Dënoj ashpërsisht arrestimet në mes të natës të qytetarëve dhe dërgimin e tyre në Tiranë, të gjitha të kryera në shkelje të të drejtave të tyre themelore. Veprimet e prokurorisë dhe të policisë janë të urdhëruara politikisht nga Edi Rama. Arrestimet nuk janë bërë për drejtësi, por për t’u hakmarrë, për të frikësuar dhe shantazhuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës”, thuhet në reagimin e Bashës.

Ai i ka dënuar edhe paraqitjen publike të Ramës lidhur me protestën, të cilën e ka quajtur “poshtërim publik” për qytetarët e Kukësit dhe të Kosovës.

‘Dënoj ashpër poshtërimin publik, fyerjet dhe përçmimin që Edi Rama po u bën qytetarëve të Kukësit dhe të Kosovës të cilët protestojnë kundër grabitjes së dyfishtë që u bëhet dhe për të drejtat e tyre”, thuhet në reagimin e tij.

Basha thekson se tarifat në Rrugën e Kombit “kanë për qëllim grabitjen e qytetarëve, për të pasuruar Edi Ramën”.

Sipas tij, Rama çdo vit i vjel 200 milionë euro taksa për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ka pyetur përse nuk përdoren këto fonde për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.

“Tarifa e Rrugës së Kombit ka vetëm një qëllim: të grabisë qytetarët për të pasuruar Edi Ramën, i cili shpërdoron dhe vjedh 200 milionë euro taksë qarkullimi cdo vit për mirëmbajtjen. Edi Rama duhet të japë llogari se pse i shpërdoron dhe nuk i përdor këto fonde për mirëmbajtjen e rrugëve. Vjedhja dhe shpërdorimi i fondit 200 milionë euro është arsyeja pse Rama vendosi tarifën nga 5 në 32 Euro në Rrugën e Kombit. Do të mjaftonte një e dhjeta e këtij fondi për këtë mirëmbajtje. Rama zhvat qytetarët me tarifën e Rrugës së Kombit për të mbuluar vjedhjen e fondit 200 milionë euro në vit”, ka shkruar ai.

Sipas Bashës, tarifa duhet të hiqet dhe protestuesit e arrestuar duhet të lirohen.

“Tarifa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet.  Protestuesit e arrestuar në mes të natës duhet të lirohen. Dhunuesit e tyre duhet të ndëshkohen Partia Demokratike mbështet qytetarët dhe të drejtat e tyre dhe do jetë me ta në çdo moment”, ka përfunduar Basha reagimin e tij.

Kryetari i PD-së i akuzon edhe Policinë dhe Prokurorinë e shtetit se janë “dorëzuar para trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar”.

“Policia dhe prokuroria janë të dorëzuara para trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar, por po keqpërdoren kundër qytetarëve që protestojnë kundër një tarife korruptive që i grabit, varfëron dhe i izolon për të pasuruar Edi Ramën dhe bandën e tij’, thuhet në reagimin e Bashës. (r.m.)

Comment

*