Basha kërkon lirimin nga burgu të protestuesve kuksianë

Tiranë, 12 prill 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi në emër të opozitës lirimin e 11 kuksianëve që po mbahen në paraburgim për shkak të pjesëmarrjes në protestën kundër vendosjes së taksës së qarkullimit në Rrugën e Kombit, më 29 mars.

Në fjalën e tij, në foltoren e Kuvendit, Basha tha se 11 të arrestuarit për pjesëmarrje në protestën në Rrugën e Kombit janë “turpi i këtij parlamenti”. Ai akuzoi kryeministri Rama dhe kryeprokuroren Arta Marku për mbajtjen në burg të kuksianëve që ai i quajti të pafajshëm dhe për arratisjen e  Arben Çekajt, i cili është kapur me 613 kg kokainë të ardhur nga Kolumbia.

“Sot është dita e 13 që 11 kuksianë të pafajshëm mbahen në burg nga banda kriminale e autokratit Rama. 11 njerëz të varfër të dhunuar e rrëmbyer nga shtëpitë e tyre nga Rama-Marku janë në burg. Ky kryeministër që vrasësit  e përdhunuesit i bëri deputetë, kryebashkiakë e politkikanë të lartë i do në pranga 11 kuksianët dhe gjithë shqiptarët e ndershëm.

Ky parlament që mbron sajmir Tahirin, i do në qeli 11 kuksianët e pafajshëm. Ky kryeministër e ajo prokurore që lanë të arratisej Arben Çejku me 613 kg kokainë i duan të shtypur kuksianët dhe gjithë qytetarët që ngrenë zërin.

Ky kryeministër dhe ky ministër i brendshëm, vëllezërit e të cilëve janë trafikantë droge i duan në burg baballarët dhe vëllezërit në familjet e thjeshta kuksiane.  11 kuksianët e burgosur janë turpi i këtij parlamenti, që ka treguar s enuk ka problem vrasësit, përdhunuesit, kriminelët, por  nuk mund të tolerojë ata që ngrenë zërin.

Nga ky parlament dua t’u drejtohem të gjithë shqiptarëve e qytetarëve: Mos i harroini kukisanët! Ata janë ende në burg. Liria e dinjiteti i tyre janë ende të dhunuara. Harresa dhe indiferenca e njerëzve janë ato që u mundësojnë autokratëve ta plaçkisin popullin e tyre.

Mirënjohje të gjithë atyre që sot e kanë ngritur zërin e tyre kundër kësaj bande kriminale ne pushtet, në mbrojtje të drejtave e dinjitetit njerëzor të kuksianëve dhe shqiptarëve të ndershëm. Ata treguan se në këtë vend ka ende shpresë e kurajo, por ata i qëndruan besnik një të vërtetë të madhe; padrejtësia diku është një kërcënim për drejtësinë kudo.

Ne nuk duhet të tolerojmë asnjë padrejtësi. Nga kjo sallë dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të mos presin, por të reagojnë, secili kundër padrejtësisë kudo që e sheh”, është shprehur Basha.

Ai ka kërkuar përjashtimin nga seanca të Kryeminisitrit Edi Ramat, për shkak të gjuhës fyese që ai përdori ndaj kuksianëve.

Basha ka thënë se “nuk ka procedim normal të seancës pa u larguar Rama”, i cili, sipas tij, “e feu popullin e tij”.

“Duke nisur këtu, nga kjo sallë, që nuk do vazhdojë më asnjë sekondë ky parlament pa e nxjerrë nga salla njeriun që përdori fjalorin më të ndyrë ndaj populli të tij. Ndale seancën menjëherë! Përjashtoje që të vazhdojë seanca normalisht. Ai do të largohet dhe do mbajë përgjegjësi para ligjit për fyerjet e grabitjet”, ka thënë Basha, transmeton abcnews. (r.m.)

Comment

*