Basha: Pranojmë “Drejtësinë” me formulën “Nuland-Hahn”, jo “Rama-Tahiri-Shullazi”

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Opozita i qëndron reformës në drejtësi dhe konsensusit për zbatimin e saj të arritur unanimisht më 22 korrik 2016. Ne kemi votuar dhe do të zbatojmë reformën VETEM sipas formulës Nuland–Hahn dhe jo sipas formulës Rama–Tahiri–Shullazi. Pjesë thelbësore e reformës së 22 korrikut ishte edhe dakordësia për miratimin konsensual të shtatë ligjeve të zbatimit të reformës në drejtësi. Kjo dakordësi u shkel nga Edi Rama. Gjashtë nga këto shtate ligje u kaluan pa konsensus, duke përjashtuar opozitën me qëllimin për të shkatërruar reformën e vërtetë në drejtësi dhe për ta kthyer atë në një fasadë pas së cilës të fshihen të qetë të gjithë të korruptuarit dhe kriminelët.
Opozita është pro vetingut sipas parashikimeve kushtetuese të 22 korrikut për vetingun. Ligji i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama nuk ka lidhje me këtë reformë dhe nuk i shërben vetingut, por kapjes së procesit të vetingut për të kapur pastaj gjithë aparatin e drejtësinë.
Ka vetëm një garanci për largimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar: një veting i pavarur. Këtë veting do të bëjmë në Republikën e Re.
Ne do të votojmë nga e para ligjin për vetingun dhe pesë ligjet e tjera të zbatimit të reformës në drejtësi, sipas marreveshjes se 22 korrikut, për t’i kthyer ato tek fryma dhe gërma e 22 korrikut dhe, mbi të gjitha, për të garantuar një drejtësi të pavarur nga politika dhe nga krimi.
Por së pari duhet të bëjmë #ZgjedhjeTeLira.

Comment

*