Basha: Rama po e kap drejtësinë, për ta mbrojtur Saimir Tahirin

Tiranë, 6 janar 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës “për t’i dhënë fund qeverisjes së krimit”.

“A jemi gati t’i rikthejmë qytetarëve shqiptarë jo vetëm paratë e vjedhura nga kjo klikë kriminale dhe korruptive, por edhe shpresën se e nesërmja duhet dhe do të jetë demokratike, e lirë dhe europiane siç e dëshiron çdo shqiptar?  Jam i bindur që po! Ju bëj thirrje ta mbledhim gjithë këtë energji pozitive dhe ta derdhim në sheshet e protestës popullore. Liri, demokraci!”, tha Bashka në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të PD-së në Fier.

Basha tha se Qeveria Rama është vënë në mbrojtje të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, i cili është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa e burgosi  për një cigare hashash 22 vjeçarin Estref Halili, i cili e vari veten në burg, një vit më parë.

“Sot e gjithë qeveria është ngritur në këmbë për të mbrojtur Sajmir Tahirin, por askush nga ata nuk u kujtua të thotë një fjalë për Estref Halilin, 22 vjeçar. Ky është shteti i Edi Ramës. Estref Halili, për një cigare hashash u plas në burg. 22 vjeçarit iu ndërpre jeta në lulen e rinisë, ndërsa për Sajmir Tahirin dhe fatin e tij, Edi Rama bëhet gjyqtar, bëhet prokuror, vetëm e vetëm që ta shpëtojë nga drejtësia”, tha Basha, transmeton Oraneës.

Basha renditi disa fakte që, sipas tij, dëshmojnë se Edi Rama po e kap drejtësinë nëpërmjet kryeprokurorit.

“Menjëherë pas vetëemërimit si kryeprokuror Edi Ramës, Saimir Tahirit iu kthye pasaporta për të udhëtuar jashtë shtetit”, tha ai

Kreu i PD-së theksoi se emërimi i kryeprokurorit pa vetting është prova më e qartë se Edi Rama ka frikë nga reforma e vërtetë në drejtësi.

“Vetingu, e mbani mend, sa herë i kërkonim llogari Edi Ramës. Ku e ke shëndetësinë falas, thoshte vetingu. Ku i ke 300 mijë vendet e punës, thoshte vetingu. Shqipëria e mbushur me drogë dhe krim, vetingu. Akuzonte nga mëngjesi deri në darkë opozitën, se po bllokonte vetingun. Po sot? Përse e ka zgjedhur kryeprokurorin pa veting? Përse e ka bllokuar ngritjen e SPAK-ut dhe BKH. Përgjigjia është e thjeshtë dhe e qartë. Sepse Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, janë në panik dhe të tmerruar”, tha ai.

Basha theksoi se opozita nuk do ta lërë vendin peng të krimit, korrupsionit, të drogës dhe trafikantëve. (r.m.)

Comment

*