Basha: Shqipëria duhet të qëndrojë fuqimisht në krah të Kosovës

Tiranë, 30 dhjetor 2020 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot delegacionin e PDK-së, të kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i partisë, zëvëndëskryetarin, Xhavit Haliti, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Uran Ismaili.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, lideri i opozitës në Shqipëri tha se në takim u diskutua për sfidat e Kosovës dhe për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Basha tha se kontributi më i madh që mund të japë Shqipëria për Kosovën është të qëndrojë fuqimisht në krah të Kosovës. Ai theksoi se, pas zgjedhjeve të 25 prillit ,PD do të japë kontributin e plotë në mbështetje të Kosovës.

“Qëndrimi im i palëkundur është që për Shqipërinë kontributi më i madh është të qëndrojë fuqimisht në krah të Kosovës, duke braktisur çdo axhendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave të Kosovës, duke braktisur çdo axhendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave të Kosovës dhe duke unifikuar qëndrimet tona për të kaluar këto sfida, duke mbështetur fuqimisht aspiratat dhe objektivat e Kosovës për heqjen e vizave anëtarësimin në NATO dhe BE. Diplomacia shqiptare duhet të jetë tërësisht në mbështetje të Kosovës. Unë dhe Partia Demokrsatike, sot dhe pas 25 prillit, do të japim kontributin tonë të plotë”, tha Basha.

Ndërsa Hoxhaj tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një qëndrim të përtbashkët për të gjitha temat me interes për cilëndo palë dhe për të dyja palët.

“Jemi dy shtete me dy kryeqytete, por duhet ta kemi një qëndrim. Një qëndrim në raport me Gjykatën Special, një qëndrim në raport me raportet tona bilaterale Kosovë-Shqipëri Dhe një qëndrim në raport me temat të cilat do t’i ketë Kosova në të ardhmen, edhe sa i takon anëtarësimit në NATO, edhe sa i takon anëtarësimit në OKB, edhe sa i takon temës të liberalizimit të vizave”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj shprehu vlerësime të larta për Bashën. Ai tha se Basha ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës në të gjitha kapacitetet dhe pozitat që ka pasur deri më tani.

(r.m.)

Comment

*