Basha: Shteti është kapur nga bandat e krimit

Tiranë, 9 tetor 2018 – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur edhe sot për më shumë se një orë për situatën aktuale në Shqipëri.

Ai ka vënë theksin në situatën aktuale në vend, të cilën e ka quajtur si “emergjente”, për shkak të krimit.

Basha, duke iu përgjigjur akuzave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me audiopërgjimin, ka përsëritur  se zëri që dëgjohet në audiopërgjimin është zëri i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt.

Sipas tij, kompanisë në Angli nuk është dërguar materiali origjinal, por një kopje e marrë nga mediet.

“Regjistrimi është i vërtetë, zëri është i Agron Xhafaj. Prokuroria ka çuar në Angli një kopje të videos të marrë nga mediat dhe jo materialin bruto”, ka thënë ai, citon Ora News.tv.

Lideri i opozitës e ka akuzuar rëndë Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilën e ka quajtur “celulë kriminale”.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda është shpartalluar, shkatërron të gjitha hetimet kundër kriminelëve. Modeli i policisë së Saimir Tahirit tani është kthyer në modelin e Prokurorisë për Arta Markun”, ka thënë ai.

Basha ka dhënë edhe detaje të reja lidhur me përleshjen e armatosur në zonën e Bllokut, ku mbeti një i vrarë dhe dy të plagosur. Sipas tij, kjo ishte një përplasje për pazare droge.

“Ngjarja e fundit në Tiranë, që na u shit për katër ditë si përplasje për një këngëtare, është një përplasje për pazare droge. Janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar, me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Sajmir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi e ktheu pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal, në goditjen me armë midis bandave rivale. Ku ka ndodhur kjo? Ka ndodhur në një lokal, të preferuar të Arben Ahmetajt dhe ministrave e deputetëve të tjerë”, ka thënë ai.

“Nuk kemi të bëjmë me përplasje banale, por me klane të fuqishme të trafikut të drogës. Kemi shumë më shumë indicie se sa kaq, por para se të bëjmë publike.  Bëhet fjalë për pazare kokaine”, ka theksuar Basha.

Kreu i PD-së i është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve lidhur me reformën zgjedhore. Ai ka thënë se opozita nuk e ka bojkotuar procesin dhe ka theksuar se për opozitën është më prioritare ndarja e krimit nga zgjedhjet. (r.m.)

One Response to “Basha: Shteti është kapur nga bandat e krimit”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Marrja e shtetit nga bandat,ka perfunduar para 6 vjetesh,kur u larguan banadat e shemtuara nga qeverisja.

Comment

*