Basha: Veç largimit të Edi Ramës si KM, s’ka rrugë tjetër për zgjedhje të lira (zë)

Ai tha se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të garantuar zgjedhjet e lira përveccse të largohet kryeministri Edi Rama.

Zoti Basha foli në takimin me biznesin ku theksoi se problemi kryesor i shqiptarëve është gjendja ekonomike pasi nuk ka lekë.

Lulzim Basha:

Republika e vjetër është komplot kundër qytetarëve shqiptarë.
Komploti ekonomik kërkon të zhvasë xhepat e çdo shqiptari
Qeveria pasuron hajdutët e veshur me pushtet
Përgëzoj Prokurorinë për arrestimin e 18 policëve dhe doganierëve
Rama e do Vettingun për të mbrojtur bandat
Prokuroria ta çojë hetimin deri në fund
Drogën e bën shteti i krimit, të arrestuarit janë ushtarë
Demokracia dhe fati i Shqipërisë më të rëndësishme se fati i një individi
Premtoi se 97% e shqiptarëve do paguajnë më pak taksa, taksat janë rritur
Është rritur çmimi i energjisë, i karburantit, i ujit
Nuk ka investime në infrastrukturën në rrugë, në ujësjellës
Rilindja nuk ka një shkollë të re të ndërtuar nga e para

Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 59 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme
 
Më lejoni të drejtoj një përshëndetje të përzemërt në mëngjesin e 59-të të protestës tonë, të lëvizjes tonë kombëtare, qytetare, demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Republikën e Re, të qytetarëve shqiptarë. Sot në këtë agorë kemi njerëz të nderuar të cilët shkëlqejnë në fushat e tyre, përfaqësojnë biznesin në mjerim, përfaqësojnë akademinë, përfaqësojnë botën universitare, shkencëtarët, intelektualë që merren me çështjet e ekonomisë.
 
Secili nga perspektiva e vet, foli siç është rregulli dhe tradita në këtë shesh të vërtetën për sektorin që mbulon. Unë dua të flasim bashkë, jo me gjuhën e argumenteve shkencore, por me gjuhën e halleve të përditshme të shqiptarit.
 
Cili është problemi numër një i shqiptarëve sot? Eshtë gjendja ekonomike. Cili është halli numër një kur i pyet njerëzit? S’ka lekë, nuk ka lekë, thonë. S’ka lekë, s’kemi lekë për nevojat elementare, s’kemi lekë për fëmijët, s’kemi lekë për tarifat e universitetit, s’kemi lekë të paguajmë faturat e energjisë, faturat e ujit. Nuk ka lekë, s’ka lekë.
 
Pse nuk ka lekë, ku janë lekët? Kudo ku shkoj, fjala e parë që dëgjoj është, nuk ka lekë. Pa filluar akoma argumentet politike, pa dallim, të majtë e të djathtë, burra e gra, fëmijë, të rinj e të moshuar, thonë nuk ka lekë, nga Shkodra në Sarandë. Ku janë lekët?
 
Jemi ulur në një vend ku lekët i kemi shumë afër. Ku janë lekët? Ku janë lekët e shqiptarëve?
 
Një pjesë mblidhen me taksa më të larta. Kur para katër vitesh erdhi në pushtet duke premtuar se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Taksat janë rritur për të gjithë.
Një pjesë i mbledh me faturat e energjisë. Janë rritur për të gjithë shqiptarët, por janë rritur në veçanti, për më të varfrit. Shtresa më e pamundur paguan çmim më të lartë energjie. Mblidhen, i mbledh me kërrabë ky këtu.
 
Një pjesë i mbledh me faturat e rritura të ujit, me taksat e rritura të pronës, dhe me çmimin e rritur të karburantit. 240 lekë për litër, vetëm rritja e akcizës në dy vjet. E kujtoni apo jo? Ngritëm zërin i thamë mos e rrit, i çuam amendamentin në Parlament. Ngritëm njerëzit në protestën e heshtur për të ndalur trafikun por nuk do t’ia dijë ky. 240 lekë për litër. Taksa e karburantit nuk prek vetëm ata që kanë automjete apo motoçikleta, prek këdo, sepse karburanti reflektohet në çmimin e gjithçkaje që nga mielli i bukës, tek uji i pijshëm dhe tek çdo shërbim.
 
Ku shkojnë paratë? I mbledh ky, shteti; shteti i leshit. Eshtë më e pakta që mund t’i them. Sepse, vetëm te tenderi i karburantit këtë vit tenderon 4,4 miliard lekë. Këtë vit elektoral. A e dini cilat janë shumat që ka harxhuar shteti shqiptar ndër vite? I kemi nga shifrat zyrtare. A e dini se cilat janë shumat që kanë harxhuar ndër vite? Në vitin 2013, 1.16 miliardë. Në 2014, 1.58 miliardë. Në 2015, 1 miliardë. Në 2016, 1.3 miliardë. Në 2017, 4.39 miliardë lekë. 44 milionë dollarë karburant.
 
Lekët e kujt janë këto? Të kujt janë këto lekë? Tuajat janë! Janë lekët që i kanë derdhur qytetarët me taksat e larta, me akcizat e larta, me çmimet e rritura.
 
Por, nuk ua kthejnë qytetarëve, as me investime që të përmirësojnë cilësinë e jetës tuaj, se ju nuk jetoni në piacat e rilindjes, që kanë filluar të shkepen akoma pa u marrë në dorëzim. Në lagjet ku ju jetoni, nuk ka investime në infrastrukturë, në rrugë, në ujësjellës, në ndriçim. Në shkollat ku çoni fëmijët, nuk ka një shkollë të re. Rilindja, nuk ka një shkollë të vetme të re të ndërtuar nga fillimi. Në ambientet ku çoni pacientët, të afërmit, gjithçka ka bërë regres, me përjashtim të check-up-it, që është majmur si shushunjë me paratë e djersës dhe gjakut të shqiptarëve.
 
Paratë i kanë vetëm për veten e tyre. Kjo është ajo oligarkia ku pakica pasurohet e shumica varfërohet. Dhe që kjo të ndodhë, duhet të funksionojë shteti i leshit që ne e njohim si republika e vjetër.
 
Ta themi republika e vjetër, se gazetarët thonë mos e thuaj më shteti i leshit. Nuk e them më shteti i leshit. Por sa here, ta thotë Rama do të bëjmë shtet, mbajeni mend e ka fjalën për shtetin e leshit, për shtetin e vet, për atë që ju merr shpirtin shqiptarëve dhe pasuron një grusht hajdutësh të veshur me pushtet.
 
Republika e vjetër është komplot kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti është komplot ekonomik. Komploti politik është teatri: “Zogu, zogu dhe dorën tek xhepi!”. Ky është teatri. Si telenovela turke, Ezel. Ezel për 4 vjet. “Zogu, zogu për 4 vjet, populli shif Ezelin, këta dorën tek xhepi!”. Xhepat bosh, tavolinat bosh, 300 mijë shqiptarë në emigracion, fuqia blerëse në pikiatë, arsimi në pikiatë, papunësia në rritje. “Zogu, zogu, zogu, u takuan –s’u takuan, u martuan, s’u martuan”, dorën tek xhepi.
 
Ky është komploti ekonomik. Komploti ekonomik ka për qëllim të zhvasë çdo kacidhe të mundshme nga xhepat e çdo shqiptari të thjeshtë, të zakonshëm, për hir të 10 apo 15 individëve që nuk dua t’i quaj shqiptarë, të cilët kanë gjithë pushtetin ekonomik, gjithë pushtetin politik dhe gjithë pushtetin kriminal në vend.
 
Aq janë, nuk është as sa kryesia e PS-së, por banda, çeta, kupola e republikës së vjetër, kupola e komplotit kundër shqiptarëve. 10-15 veta janë në total, kontrollojnë ekonominë e shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, asetet e shqiptarëve, kontrollojnë politikën në shërbim të tyre hajdutëve dhe kriminelëve që kontrollojnë aktivitetin kriminal, drogën. Kur themi kriminelët se kam fjalën për atë fakirin që kishin burgosur për një rrënjë kanabis. Ku ishte, në Kavajë? E kam fjalën për Edi Ramën dhe Saimir Tahirin me shokë që e mbushën Shqipërinë me drogë si pjesë e komplotit të tyre kundër lirive dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
 
***
Arrestimet për drogën, hetimet të shkojnë tek Tahiri e Rama
 
Ky është momenti të përgëzoj Prokurorinë e Krimeve të Rënda për operacionin e mbrëmshëm dhe arrestimin e 18 personave në Policinë e Shtetit dhe në Doganë, është ajo që kemi thënë në tre vjet: Që drogën e bën shteti. Shteti i drogës, shteti i krimit, këta e bëjnë drogën. Por këta të 18-të janë ushtarët. Çojeni hetimin deri në fund, niseni me arrestimin e Saimir Tahirit dhe përfundojeni me kreun e bandës.
 
Po sigurisht që këtë, nuk e bëni dot, se ju rri vetingu i Ramës mbi kokë. Se vetingu i Ramës, për këtë punë është bërë: jo që ta çlirojë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, por që të ruajë çetat e kriminelëve dhe të korruptuarve duke kërcënuar këdo që guxon të hetojë dhe të çojë para përgjegjësisë penale të korruptuarit dhe kriminelët në këtë vend. Por për këtë do të flasim më gjerësisht një ditë tjetër.
 
***
Komploti ekonomik kundër shqiptarëve, pra skema e vjedhjes, e zhvatjes së çdo qindarke nga xhepat tuaj, të çdo qytetari të thjeshtë të republikës, të djathtë apo të majtë, manifestohet qartësisht në vendime që merren në fshehtësi të plotë, të errësirë totale. “Se ujku mjegull do!”- Kupola kriminale e Edi Ramës i merr këto vendime në fshehtësi totale.
Po ua përmend një të fundit: Keni marrë vesh për kullën 350 m që do të bëhet në fund të bulevardit?Keni marrë vesh që do t’ia heqin taksat për 15 vjet?E patë si e kaluan vendimin në fshehtësi në Parlament? Askush nuk e dinte.
 
Po si u bëka kulla 350 metra? Merret vendimi sikur po blen një lopë apo po shet një lopë dhe i hoqën taksat për 15 vjet dikujt që vjen të investojë në ndërtim, siç investojnë gjithë të tjerët.
Po përse investuesi shqiptar apo edhe fermeri shqiptar që bën një hangar shkon e takson ti dhe këtij tjetrit shkon i heq taksat për 15 vjet?
 
Pse TAP-it që investon 1 miliard euro për energjinë i vë taksa, ndërsa këtij ia heqke taksat? Pse? Pse? Pse në investime strategjike që hapin edhe vende pune nuk i heq taksat? Ndërsa këtu, në një investim luksi i heq taksat për 15 vjet. Si ju shkon mendja ju, pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse janë vetë brenda, janë lekët e tyre, janë pasuritë e tyre, janë interesat e tyre.
 
Para një jave morën një sërë vendimesh të tilla, vendimi më i vogël 35 milionë euro, pastaj 44 milionë dollarë vendimi i karburantit, pastaj vendimi dhjetëra milionë euro i përjashtimit të taksave të kullës, pastaj vendimi për të ndërtuar kulla të tjera; se helbete paratë e drogës diku duhen investuar.
 
Ku është qytetari shqiptar? Këta flasin me miliona euro, shqiptarët vazhdojnë flasin nuk ka lekë, s’ka lekë.
 
Kjo është republika e vjetër. Ky është komploti ekonomik kundër shqiptarëve. Kjo është një shoqëri e robëruar nga oligarkia, nga një grusht pushtetarësh dhe një grusht kriminelësh. Ju të gjithë, ne të gjithë jemi konsumatorë, ne jemi skllevër të kësaj republike të vjetër, ndërsa padronët e një populli të tërë që ankohet se nuk ka lekë, ndajnë javë për javë dhjetëra-qindra milionë euro të pasurive tuaja, të taksave tuaja, të djersës dhe gjakut tuaj. Kjo është republika e vjetër.
 
Jua kam thënë prej fillimit se republika e vjetër ka qindra milionë, miliarda për të humbur dhe se do të bëjë çdo përpjekje për të ruajtur privilegjet që kanë. Do të përpiqen të kërcënojnë kë të munden dhe të blejnë kë të munden, shqiptarë e të huaj. Lojë miliardash. Ju kam thënë se në këtë lojë republika e vjetër do të hedhë gjithçka që të mos dorëzojë privilegjet që kanë, për të përdorur Shqipërinë si lopën e vet, qumështi i së cilës është vetëm për ata 10 apo 15 vetë.
 
***
Para dy javësh një nga partitë e koalicionit deklaroi se ishte gati të dorëzonte mandatet në funksion të zgjidhjes, se nuk mund të kishte zgjedhje pa opozitën, se demokracia dhe fati i Shqipërisë janë më të rëndësishme se fati i një individi politik. E mbani mend të gjithë. Që në atë moment e përshëndetëm, por në qoftë se je i sinqertë, i thamë. Tani sot ku ndodhemi?
 
Tani ndodhemi në një situatë ku Edi Rama ka ofertën e Ilir Metës për një koalicion edhe për zgjedhjet e ardhshme. Pra, koalicionin e ka, në pushtet ka qenë 4 vite, pse nuk e dorëzon karriken për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme? Jo për të dorëzuar pushtetin në tavolinë! Për të pasur një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Pse? Pse? Ka frikë. Po pse nga çfarë ka frikë?
Ka frikë se edhe po ta ketë Ilir Metën në varg, po i iku karrigia, i iku mbështetja e drogës, i iku mbështetja e kriminelëve që i ka sjellë në parlament, i iku mundësia për të bërë tendera si ai 44 milionëshi i karburantit. Po. I ikën veglat me të cilat ka ndërmend të shkatërrojë zgjedhjet e ardhshme. Ai e di se gjykimi popullor do të jetë i pamëshirshëm me votë të lirë e të ndershme.
 
Prandaj ka bërë, e po bën çdo përpjekje ndaj aleatit të tij, me zhage.
 
E dini se çfarë është zhagia? Kush e di të ngrejë dorën. Pse i them zhage unë?! Unë e njoh si torbë ose si trasje. Por lidershipi i lartë socialist, e njeh si zhage se kanë nja 15 vjet që e përdorin. Sa herë që nuk i zgjidhin punët me njëri tjetrin, hedhin zhagen. Zhagia ka dalë edhe jashtë Shqipërie. Zhagia nuk ka nevojë për viza. Hap pas hapi, nuk i themi të gjitha sot se janë shumë se duhet ti tresë stomaku i atyre që dëgjojnë. I kemi të gjitha faktet.
 
Pra, po i ofrojnë çdo gjë, që ti mbushin mendjen që të tërhiqet nga deklarata që ka bërë, e të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kur them çdo përpjekje, argumenta dhe fakte nuk kanë, sepse argumentat e interesit publik tashmë i kupton çdo shqiptar, i vogël dhe i madh, i djathtë dhe i majtë, kërkojnë largimin një orë e më parë të Edi Ramës si kryeministër se rrugë tjetër për zgjedhje të lira nuk ka. Argumente nuk kanë. Kur nuk kanë argumente, këta kanë zhagen.
 
Do të shohim tani, se ka filluar seriali tjetër i Ezelit. Do të shohim nëse do ta marrë apo nuk do ta marrë zhagen. Kjo është loja. Për ne, pikë rëndësie nuk ka sa kohë që zhagen të nxirrni dhe kujdo që tia jepni; zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk ka për të pasur. Sepse, kjo do të thotë që edhe ne të bëhemi pjesë e zhages të sakrifikojmë axhendën e qytetarëve për axhendën e Partisë Demokratike, për axhendën e opozitës politike, për axhendën e një grupi njerëzish, Dhe kjo është sëmundja tjetër e republikës së vjetër të cilën ne po e luftojmë e do ta luftojmë derisa ta mposhtim.
 
Asnjë pazar me interesin e qytetarëve shqiptarë për interesin e partive tona nuk do të ketë. Çfarëdo thonë e degjoni nga ato media që janë pjesë e këtij komploti ekonomik, se kanë edhe ato zhagen e tyre, zhagen e tyre marrin edhe ato, cfarëdo thonë, mbajeni mend dhe mos e harroni; Partia Demokratike dhe unë nuk do të bëjmë asnjë pazar politik në kurriz të vendimit tuaj popullor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
***
Kjo nuk është një betejë për fatin tim politik. Kjo nuk është një betejë për fatin politik të partisë time. Duhet ta kuptojë mirë çdokush, shqiptar apo i huaj. Ndaj nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë në dorën time të tradhtoj popullin tim dhe vendimet e popullit tim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Nuk duam pushtet në tavolinë dhe larg qoftë mos e dhente zoti, që me pushtet në tavolinë apo me pazare politike, apo me manovra politike, të jemi ne në atë godinë e të vazhdojmë me avazin e republikës së vjetër se pastaj, nuk kemi lënë rrugë tjetër, veçse të vini e të na tërhiqni zvarrë pranë këtyre zyrave.
 
Ndaj shënojeni këtë. Do të ketë vetëm republikë të re të qytetarëve shqiptarë dhe për këtë, duhet doemos të garantojmë zgjedhjet njëherë e mire, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme dhe do të shkohet në to, vetëm pasi të çmontohet aparati kriminal i shtetit.
 
Mora vesh se ishte qarë këto ditët e fundit dhe kishte thënë që kot e miratuam ligjin e dekriminalizimit. Domosdo, që kot e miratove, se për ty krimi dhe kriminelët janë këmbët e karrikes së pushtetit. Por ligji i dekriminalizimit është akti më fisnik që parlamenti shqiptar ka kaluar në 25 vite. I vetmi akt fisnik që është për interesat e qytetarëve dhe jo për interesin e një grushti njerëzish. Eshtë e vetmja masë ligjore që nuk po zbatohet, sepse në mes është Edi Rama, sepse është bërë për qytetarët shqiptarë, dhe jo për një tufë politikanësh të korruptuar e të lidhur me krimin.
 
Pra, zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit, luftë e betejë kundër kultivimit të drogës dhe parave të drogës së vitit të kaluar, dhe reformë zgjedhore si kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, këto janë detyrat e qeverisë teknike.
 
Tani do thotë dikush, që negociatë është. Çfarë do lëshosh?! Po i them që këto nuk janë kushtet e mia por këto janë kushtet e popullit dhe harrojeni se do të ndryshojë ndonjë gjë nga këto kushte. Asgjë. Nguleni në mendje mirë. Vetëm qeveri teknike e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë drogën e të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë tërheqje nga këto.
 
***
E fundit është kjo. E mo se në çadër janë, një gusht njerëzish në çadër janë. E vërteta është se jemi këtu tash e 59 ditë në një protestë të paprecedëntë por që është pjesë e një lëvizje gjigande të shqiptarëve. Të siguroj që sot është 10 herë më e madhe se 18 shkurti.
 
Ndaj, falju Zotit, ditë e natë, që me ke mua përballë e që nuk është prishur një lule. Dhe veri gishtin kokës kur shpotit dhe tall opozitën, se ndoshta më mbaron edhe mua durimi dhe nuk arrij dot t’i bind pastaj që të mos këpusin ndonjë lule. Jemi fytyra e Shqipërisë europiane. Ja, kjo është fytyra e Shqipërisë europiane. Eshtë protestë europiane. Nga unë këtë keni pritur dhe këtë do keni dhe mos kërkoni asgjë tjetër. Do të vazhdojmë paqësisht, demokratikisht e do të vazhdojmë me vendosmëri stoike, totale, europiane derisa të arrijmë destinacionin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm me një qeveri teknike. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme do ti japim fund komplotit politik dhe mbi të gjitha komplotit ekonomik kundër shqiptarëve. Nuk do t’i kenë më 10-15 vetë, dhjetëra e qindra milionë euro të shqiptarëve në duar, në xhepa, në kasaforta, në konto bankare. Këto para do tu kthehen shqiptarëve dhe kur t’u kthehen shqiptarëve, në Republikën e Re, nuk do të ketë pension nën 250 mijë lekë të vjetra, nuk do të ketë ndihmë ekonomike sa për mëshirë, nuk do të ketë familje të varfëra që goditen deri në palcë nga faturat e rrepta të energjisë e ujit, e karburantit, por do të ketë rishpërndarje të taksave të shqiptarëve tek qytetarët shqiptarë me investime të vërteta publike që hapin vende pune dhe ndihmojnë ekonominë, me subvencione në bujqësi që ndihmojnë 47% të shqiptarëve që jo vetëm të mbajnë shpirtin më bukë, por të futen në treg e të jenë fermerë të denjë në një treg të lirë që i shërben konsumatorëve shqiptarë. Nuk do të ketë studentë të cilët nuk kryejnë dot studimet për shkak të tarifave dhe pamundësisë ekonomike, nuk do të ketë të sapodiplomuar që hapin sytë kafeneve, apo emigrojnë apo e kanë mendjen tek droga, sepse shteti i tyre, Republika e Re do tu japë atyre mundësinë për 1 vit stazh të paguar. Paratë e republikës së vjetër, paratë e oligarkëve, kriminelëve dhe pushtetarëve në republikën e vjetër, në Republikën e Re, do ti kthehen qytetarit shqiptar. Ky është fuqizimi ekonomik i qytetarëve shqiptarë. Por më përpara, na duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do ti bëjmë me çdo kusht. Rroftë Shqipëria. Zoti i bekoftë shqiptarët.

Comment

*