Basha: Vendi në prag të kolapsit nga COVID-19

Tiranë, 15 tetor 2020 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Shqipëria ndodhet në prag të kolapsit të vërtetë, për shkak të rritjes së shifrave nga pandemia e koronavirusit.

Basha tha se situata po përkeqësohet nga dita në ditë, ndërsa qeveria vijon me neglizhencën dhe nuk e zbaton planin me 5 pika, të propozuar nga opozita.

“Është një gjendje që po vjen duke u thelluar, është një krizë, një kolaps i vërtetë, që kërkon domosdoshmëri urgjente për të ndërmarrë hapa që opozita dhe unë personalisht i kemi formalizuar në planin me 5 pika. Nuk mund të shpreh revoltën nga shpërfillja që qeveria ua bën qytetarëve, ndërkohë që shifrat rriten. Të sëmurët me diagnoza të tjera e gjejnë veten mes dy zjarreve”, tha Basha, citon Balkanweb.

Ai theksoi se Kryeministri Edi Rama ka gjashtë muaj që gënjen për pandeminë dhe nuk merr masa për përmirësimin e gjendjes.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër gënjejnë, kanë gënjyer 6 muaj për pandeminë, për shifrat, për trajtimin, për ndihmën, por edhe vazhdojnë të gënjejnë ditë për ditë, në vend që të marrin masa. Kjo duhet të jetë një kambanë që s’duhet të resht së bjeri, nga mëngjesi deri në darkë”, shtoi ai.

Basha tha se Partia Demokratike ka propozuar masat për përballimin e pandemisë, ndërsa kryeministrin Rama e akuzoi se “po i mbush xhepat e mafiozëve”.

“Kemi shpalosur planin me 5 pika, për t’u përballur me aspektin shëndetësor dhe ekonomik të krizës që po thellohet. Ne nuk e shpikëm rrotën, por morëm buxhetin e shtetit dhe e pamë si po shpenzohen paratë e shqiptarëve për të mbushur xhepat e mafiozëve, që i ndajnë pastaj me Ramën. Ju them: ‘për hir të shqiptarëve, ndaleni këtë barbari tani dhe çojini këto lekë aty ku duhen’. Paratë e taksapaguesve kurrë më shumë se sot nuk janë të domosdoshme për të ndihmuar ata njerëz që numërojnë kacidhet për të blerë ilaçe, që janë në kufirin e dëshpërimit absolut”, deklaroi Basha.

(r.m.)

Comment

*