Bashkëshorti i ish-kandidates për zv-Presidente, Sarah Palin, kërkon divorc

Todd Palin duket se ka bërë kërkesë ligjore për divorc nga ish-guvernatorja e Alaskës dhe ish-kandidates për zv-Presidente të SHBA-së, Sarah Palin, pas 31 vitesh martesë.
Në dokumentin e paraqitur në Gjykatën Superiore të qytetit Anchorage, 55-vjeçari ka paraqitur si arsye “mospërputjen e temperamenteve ndërmjet palëve në pikën që nuk është më e mundur të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Jeta e çiftit Palin ndryshoi në mënyrë drastike, në 2008, kur John McCain e zgjodhi guvernatoren jo shumë të njohur, si zëvendësen e tij në garën për President kundër Senatorit të atëhershëm Barack Obama.
Obama kishte për zëvendës Senatorin Joe Biden.
Gjatë dhe pas fushatës, Sarah Palin u kthye në një objekt talljeje në media dhe nga kritikët, por fitoi edhe një popullaritet gati si kult mes një shtrese të pakënaqur të popullsisë, e shquar për patriotizëm, ndonëse jo për nivel shkollimi.
Kjo shtresë do të bëhej më vonë një segment kyç në zgjedhjen e Presidentit Donald Trump.
Për shumë arsye, disa analistë e kanë para Sarah Palin si një paraardhëse të Presidentit Trump.
Sarah Palin fitoi njohje publike, botoi një libër që u shit shumë, u bë një personazh i njohur në politikën amerikane. Po këto erdhën edhe me një çmim personal. Një numër ngjarjesh familjare sinjalizonin një vështirësi për të administruar jetën private në kushtet e famës së papritur. Ndarja me bashkëshortin mund të jetë kurorëzimi i pasojave. (Ruben Avxhiu)

Comment

*