Bashkia e Tiranës bllokon pas kontrollit 9 nga 14 subjekte të tregtimit të gazit

Në tre ditët e para të aksionit, 24 biznese që merren me tregtimin e karburantit dhe gazit janë paraqitur pranë Bashkisë së Tiranës për t’u pajisur me licencë, kanë plotësuar dokumentacionin, si dhe kanë kryer pagesat përkatëse

Bashkia e Tiranës vijoi edhe sot aksionin për bllokimin e pikave të tregtimit të karburantit dhe të gazit që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Në ditën e tretë, aksioni u përqëndrua kryesisht në kontrollin dhe bllokimin e pikave të tregtimit të gazit të lëngshëm, kryesisht në lagje dhe pranë pallateve, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.

Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore bllokuan sot pika shitje të gazit në rrugën “Myslym Shyri”, pranë zonës së njohur si 9-katëshet, në rrugën “Him Kolli dhe në rrugën “Hoxha Tahsim”, të cilat e ushtronin aktivitetin e tyre pa licencë, duke iu shmangur detyrimeve ndaj qytetit.

Nga kontrolli i kryer në 14 subjekte, 9 prej tyre kanë rezultuar me probleme dhe është bërë bllokimi i aktivitetit.

Kontrollet e ushtruara nga institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës kanë ndërgjegjësuar pronarët e disa pikave të tregtimit të gazit, të cilët kanë mbyllur vetë aktivitetin e tyre dhe kanë nisur procedurën e plotësimit të dokumentacionit për t’u pajisur me licencë, ndërsa pjesa tjetër ka shlyer detyrimet financiare dhe ka rinisur punën.

Në tre ditët e para të aksionit, 24 biznese që merren me tregtimin e karburantit dhe gazit janë paraqitur pranë Bashkisë së Tiranës për t’u pajisur me licencë, kanë plotësuar dokumentacionin, si dhe kanë kryer pagesat përkatëse.

Me t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi kanë shlyer detyrimet e taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore, ditën e sotme ka nisur zhbllokimi i disa pikave të tregtimit të karburanteve.

Prej tri ditësh Bashkia e Tiranës po ushtron kontrolle në të gjithë territorin e Tiranës për bllokimin e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje subjekteve në fushën e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, që të aplikojnë për t’u pajisur me licencë, pasi në të kundërt do t’u bllokohet ushtrimi i aktivitetit.

Comment

*