Bashkia Tiranë fillon rindërtimin e plotë të Amfiteatrit te Liqeni Artificial

I lënë në harresë prej shumë vitesh, më së fundi Amfiteatri te kodrat e Parkut të Liqenit po merr vëmendjen e bashkisë dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, për ta shndërruar atë në Teatrin e Hapur të Tiranës

Rikonstruksioni i Amfiteatrit është kërkuar vazhdimisht edhe nga një sërë artistësh të njohur shqiptarë, si sopranoja me famë botërore, Inva Mula, për të pasur mundësi organizimin e disa shfaqjeve në formën e teatrit të hapur.

Kështu, ky Amfiteatër nuk do të jetë thjesht një arenë natyrore për artistët, por edhe një mjedis ideal për fëmijë, të rinj e jo vetëm, që dëshirojnë të shijojnë artin në natyrë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi artistët për mbështetjen e tyre, ndërsa theksoi se pas investimit ky mjedis do të marrë rëndësinë e merituar, duke e kthyer në një skenë të mirëfilltë artistike.

“Siç thonë, një histori e mirë sjell një histori tjetër të mirë dhe propozimi i Invës për të bërë një shfaqje këtu, solli një avancim të idesë për ta transformuar Amfiteatrin e Liqenit.

Sot është një hapësirë e degraduar, ndonjëherë ngjan me disa rrënoja antike, por që në fakt nuk ka moshë aq të madhe sa të hyjë në antikitet.

Por, sigurisht ndonjëherë mungesa e kulturës, aktet e vandalizmit, mungesa e kujdesit për pronën e përbashkët ka sjellë këtë degradim.

Sot jemi në një situatë tjetër, ku jo vetëm kemi vendosur që të marrim përsipër këtë financim, por do ta përfundojmë në kohë rekord”, tha kryetari Veliaj.

Ai u shpreh se Tirana fiton një skenë të re në natyrë, e cila do të ofrojë mundësi për të ndjekur art edhe për ata që nuk mund ta ndjekin atë në skena apo teatro të mirëfillta.

“Nuk mund të vazhdojmë të kemi vetëm politika kulturore elitare të paaksesueshme nga një publik, i cili ndoshta nuk e ka traditë vajtjen në opera, në balet dhe në teatër, por kur vjen nga Liqeni fiton një opera, balet, teatër në natyrë. Kështu, demokratizojmë pak politikën tonë të artit që mund të aksesohet nga shumë më shumë njerëz, që në të kundërt nuk do t’i çonin këmbët kurrë në një nga institucionet tradicionale kulturore.

Ndaj, shkon me filozofinë e APR-së, ku nuk është gjithmonë njeriu që shkon te arti te kultura, ndonjëherë është arti dhe kultura që shkon aty ku janë njerëzit”, u shpreh Veliaj.

Sopranoja shqiptare Inva Mula falenderoi Bashkinë e Tiranës që në një kohë të shkurtër bëri të mundur nisjen e një investimi kaq të rëndësishëm për artin në Tiranë.

“Është një projekt që e kam shumë për zemër dhe jam shumë e lumtur. Që në momentin që erdha për të krijuar një spektakël këtu, e pamë që nga ana teknike nuk shkonte.

Falë Erionit, falë Blendit menjëherë kjo gjë po konkretizohet, saqë më duket si e pabesueshme që mund të ndodhin këto gjëra në mbështetje të kulturës.

Meqë parku është bërë një mushkëri shumë e mirë ku njerëzit kanë mundësi të ecin dhe të jenë në ajër të pastër, mendoj që do të jetë një aortë shumë e rëndësishme e kulturës së Tiranës”, tha Inva Mula.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se që të jetë i jetueshëm një qytet duhet të ketë jo vetëm rrugë dhe sheshe të mira, por edhe hapësira që nxisin artin, kulturën apo çdo aktivitet tjetër që i shërben argëtimit dhe gjendjes shpirtërore të njerëzve.

“Të gjithë e pranojmë që qyteti nuk është vetëm një bashkësi apartamentesh, dyqanesh dhe rrugësh. Qyteti është mbi të gjitha një bashkësi njerëzish që nuk jetojnë vetëm me bukë, jetojnë edhe me art, me kulturë, me koncerte, opera, balet, dhe me të gjithë shfaqjet që artistët tanë të mrekullueshëm kanë potencialin t’i vënë në një skenë të re”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se me përfundimin e këtij projekti qytetarët që vizitojnë Parkun e Liqenit do të kenë një tjetër alternativë për të kaluar orët tyre të lira dhe për tu argëtuar.

Veliaj dha edhe lajmin e mirë se brenda këtij viti përfundon rikonstruksioni i Shkollës së Baletit, e cila do t’i shërbejë gjithashtu përgatitjes së artistëve të rinj.

Comment

*