Bashkim Shehu: Nga pikëpamja letrare, burgu ishte çlirim

Tiranë, 23 maj 2018 – Shkrimtari Bashkim Shehu ka thënë se vitet që i ka kaluar në burg i kanë bërë mirë krijimtarisë së tij letrarej.

Në një bashkëbisedim me studentë në Universitetin Evropian të Tiranës, Shehu ka thënë se vitet e ndryshimit të regjimit në Shqipëri do t’i kishte pasur më të vështira nëse nuk do të kishte qenë në burg pas vdekjes së të atit, kryeministrit Mehmet Shehu.

“Do e kisha pasur të vështirë në momentin e ndryshimit të regjimit për pozicionin ku do të ndodhesha. Ata që e kanë njohur regjimin e dinë, por është ndryshe të kesh qenë në burg, qartësohen mendimet më tepër. Nga ana tjetër, nuk do di si do të kishte qenë jeta ime, më e mirë apo ndoshta më e keqe, por, me siguri di që të shkruarit do të kishte qenë më keq, sepse ato 9 vite burg do të kishin qenë një dozë e rëndësishme konformizmi dhe, në pikëpamjen letrare burgu ishte çlirim. Jam ndier më i lirë sepse në burg nuk ishte ajo lloj censure që ishte jashtë”, ka thënë Shehu, citon gazeta “MAPO”.

Ai ka treguar se ka nisur të shkruajë qysh në moshën 17 vjeçare dhe ka vazhduar të shkruajë edhe gjatë kohës që e vuante dënimin në burg.

I pyetur nëse kishte kaluar në anën e duhur të historisë, Shehu është shprehur:

“Fjala ‘histori’ më tremb. Historia nuk është perëndi, është një sfinks që shqyen, shkatërron e shkakton viktima”, ka thënë ai.

Bashkim Shehu ka folur edhe për debatin rreth raportit të së majtës shqiptare me të kaluarën dhe rreth krimeve të komunizmit. Ai ka thënë se e Majta Shqiptare i sheh shtrembër ata që nuk kanë qenë me Enver Hoxhën.

“Mund të kenë qenë komunistë, socialdemokratë, progresistë… në përgjithësi shihen shtrembër. Kriteri është Enver Hoxha dhe linja e tij, ADN –ja zyrtare. Pse fondacioni politik i Partisë Socialiste quhet ‘Qemal Stafa’ dhe jo ‘Musine Kokalari’? Meqë e konsiderojnë veten socialistë apo socialdemokratë u takonte ta quanin ‘Musine Kokalari’”, ka thënë ai.

Shehu ka thënë se në Shqipëri mungon sfera publike dhe kjo është një mangësi e madhe për shoqërinë.

“Mendoj se Publiken duhet ta mbrojnë jo vetëm intelektualët, por të gjithë qytetarët. Por, më shumë intelektualët, si qytetarë me vizibilitet dhe Publikja është një sferë që mungon. Kur flitet për Publiken këtu flitet për Shtetëroren, sepse mungon ajo sferë e pavarur mes privates dhe pushtetit shtetëror. Disa e quajnë shoqëri civile, sferë publike, për ta dalluar nga sfera politike, mungon dhe kjo është mangësi, Secili sheh parcelën e vet dhe ka ndikuar që gjatë këtyre viteve të rikthehen atavizmat autoritare”, është shprehur Shehu. (r.m.)

Comment

*