Bashkimi në një listë zgjedhore, e vetmja mënyrë e përfaqësimit dinjitoz të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi!

Xheladin Zeneli

Shqiptarët në Luginën e Preshevës fituan maksimumin e mundshëm të numrit të deputetëve në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e muajit të kaluar; Subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet e këtij muaji ,arritën numër rekord të mandateve në Parlamentin qendror.
Po shqiptarët në Mal të Zi, çka do të fitojnë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm?
E kam thënë edhe më parë se bashkimi apo bashkëpunimi i partive politike shqiptare në në Mal të Zi, duke përfshirë edhe formimin e një kualicioni të përbashkët zgjedhor nuk është më opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike duke pasur parasysh defaktorizimin gradual dhe rënien e fuqisë së tyre si pasojë e parcijalizimit dhe ndarjeve të shumta që ato kanë pësuar që nga koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak në Mal të Zi. Ju rikujtojmë se në zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1990 , një subjekt i vetëm politik shqiptar( LDMZ), fitoi 4 vende (deputetë) në Kuvendin e MZ.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 nga rreth 10 parti (subjekte) egzistuese politike shqiptare , vetëm njëra prej tyre arriti të fitoi një mandat(deputet).
S’ka dushim një ndër faktorët që ka ndikuar negativisht në rënien e përfaqësimit të shqiptarëve, në dy zgjedhjet e fundit në Kuvendin e MZ ka të bëjë me ligjin egzistues zgjedhor i cili është diskriminues ndaj tyre, por mos të harrojmë se “plaga” lenduese më e rëndë ,shqiptarëve ia ka ardhur nga vetëvehtja duke themeluar parti të reja dhe duke shumëfishuar spektrin politik çka ka ndikuar në ndarjen, përçarjen dhe fragmentizimin e zgjedhësve(votuesëve) shqiptarë. Dhe ky shumëfishim vazhdon gjithënjë edhe në ditët e sotme,pasi që pak kohë më parë dega e partisë së dytë më të vjetër shqiptare në Mal të Zi- UDSH-ja , u shkëput nga partia e saj amë për të vazhduar si subjekt politik në vehte.
Sa herë që partitë politike shqiptare në Mal të Zi garojnë të ndara apo me lista të veçanta në zgjedhje, ata në fakt garojnë kundër njera tjetrës dhe jo kundër partive apo listave tjera joshqiptare . Pra, nëse në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 30 Gusht 2020, partitë shqiptare dalin me lista të veçanta apo dy-tre kolona, atëherë ata si të tilla do të konkurojnë për një bazë të përbashkët zgjedhore, bazë kjo e cila fatkeqësisht vjen duke u tkurrur prej zgjedhje në zgjedhje si rezulltat i emigrimit të shqiptarëve,apatizmit qytetar, abstenimit (mosvotimit) të zgjedhësve të zhgënjuar në liderët e tyre partiak si dhe mos dhënia e mundësisë pjesëtarëve të diasporës shqiptare për të votuar nga vendet e tyre të qendrimit.
Prandaj, në gjendjen dhe rrethanat e tanishme të krijuara nga vetë subjektet politike shqiptare, ata nuk e kanë më luksin që të paraqiten apo garojnë të ndara dhe me lista të veçanta në zgjedhjet parlamentare por vetëm me një listë të përbashkët zgjedhore.
Sa më parë që t’a kuptojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për këtë, aq më shumë do t’i kontribojnë subjektit të vet politik dhe njëherit aq më shumë do t’i ndihmojnë bazës së vet zgjedhore që ata përfaqësojnë.

Xheladin Zeneli
Korrik 2020

One Response to “Bashkimi në një listë zgjedhore, e vetmja mënyrë e përfaqësimit dinjitoz të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi!”

Read below or add a comment...

  1. sali bollati says:

    Kam shume Respekt per Shqiptaret Atdhetare Shqiptare ne Mal te Zi e sidomos ketu ne Ameriken e Bekuar
    Vetekuptohet BASHKIMI BEN FUQINE!

Comment

*