Basketbollistët e Kosovës U16 nisen për në Bosnjë, ambasada e SHBA ndihmoi për vizat

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), nëpërmjet një komunikate, njofton Përfaqësuesja U16 e Kosovës (meshkujt) sonte, në ora 20:15, është pajisur me viza të Bosnje e Hercegovinës dhe po sonte udhëton për në Sarajevë, ku mbahet FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni B.

“Pas katër ditë pritjeje para Ambasadës së Bosnje e Hercegovinës në Shkup dhe pas trysnisë së madhe nga FIBA, KON, FBK, KOK-u dhe së fundi edhe me angazhimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës e ka dhënë lejen për pajisje me viza për Kosovën U16”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Përfaqësuesja e Kosovës U16 duhet të arrinte qysh të mërkurën në Sarajevë, për të zhvilluar stërvitjen e parë, kurse të enjten duhet ta zhvillonte ndeshjen e parë pikërisht kundër Bosnje e Hercegovinës, por ajo nuk ka mundur ta udhëtojë për shkak se Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjes e Hercegovinë prej të martës ka refuzuar të pajisë me viza.

Kosova është në Grupin D, së bashku me Republikën Çeke, Ukrainën, Bjellorusinë, Zvicrën dhe Bosnje e Hercegovinën. (r.m.)

Comment

*