BB: Ekonoia e Kosovës do të goditet rëndë nga pandemia e koronavirusit

Uashinton, 9 prill 2020 – Banka Botërore (BB) bën të ditur se është duke përfunduar një program me vlerë prej rreth 120 milionë eurosh për të ndihmuar Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Programi i Bankës Botërore përfshin një projekt të ri me miratim të përshpejtuar për t’iu përgjigjur përparësive urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të hyrat e familjeve, si dhe ristrukturimin e projekteve të miratuara tashmë për të mobilizuar fonde në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, raporton Zëri i Amerikës.

Një raport i Bankës Botërore vë në pah se Kosova, ngjashëm me vendet e tjera të rajonit, do të pësojë tkurrje ekonomike në vitin 2020, si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e koronavirusit, madje edhe nëse këto masa hiqen në tremujorin e dytë të vitit.

“Përveç mbylljes së përkohshme të veprimtarive kryesore ekonomike dhe humbjes së të hyrave, në Kosovë ndikimi i pandemisë do të shoqërohet kryesisht me uljen e eksporteve të shërbimeve të nxitura nga diaspora, të dërgesave informale, si dhe të Investimeve të huaja të drejtpërdrejta në ndërtime”, thuhet në raportin rajonal “Përditësimi Ekonomik – Pranverë 2020”.

“Nëse shpërthimi vazhdon përtej tremujorit të dytë të vitit 2020, ndikimi i COVID-19 do jetë serioz në ofertën ekonomike, duke çuar në humbje afatgjata të vendeve të punës dhe në prodhim”, thuhet në raport.

Raporti i Bankës Botërore vlerëson se masat mbështetëse, siç janë transferet e parave të gatshme ose subvencionet e kujdesit shëndetësor në ndihmë të njerëzve dhe familjeve të cenueshme, kreditë e përkohshme të biznesit, dhe zbritjet tatimore për bizneset, do të jenë me rëndësi kriuciale për zbutjen e rënies dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Qeveria e Kosovës në detyrë e ka miratuar një “Pako Emergjente Fiskale” me vlerë prej 179.6 milionë eurosh, për të zbutur pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19. Paketa përfshim mbështetje për bizneset, pensionistët, kategoritë sociale, bujqit, punëtorët e administratës shtetërore, etj. (r.m.)

Comment

*