BB: Kosova do të ketë rënie ekonomike, për shkak të pandemisë

Uashington, 29 prill 2020 – Banka Botërore (BB) parashikon që ekonomia e Kosovës të ketë një rënie  4,5% në vitin 2020, si pasojë e  pandemisë COVID-19.

Në raportin për Ballkanin Perëndimor të BB thuhet se ekonomia e Kosovës parashihej të kishte një rritje prej 4% në vitin 2020, mirëpo pandemia do të çojë në rënie ekonomike deri në 4,5%.

“Në vitin 2020, ekonomia e Kosovës parashihej të rritej me rreth 4 për qind, mirëpo, për shkak të shpërthimit të COVID-19, ajo pritet të pësojë një rënie prej 4,5 për qind, për shkak të uljes së eksporteve,  shërbimeve dhe të investimeve publike e private”, thuhet në raport.

Raporti thekson se humbjet në Kosovë do të jenë edhe më të mëdha nëse masat kufizuese do të zgjasin deri në fund të muajit shtator të këtij viti.

“Nëse përhapja e pandemisë zgjat dhe masat kufizuese mbeten në fuqi deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2020, atëherë edhe recesioni do të jetë më i gjatë dhe e humbja e të hyrave buxhetore më e lartë, kështu që do të kufizohen mundësitë e reagimit të mëtejshëm me anë të politikave”, thuhet në raport.

BB ka bërë edhe një vështrim  për pakon emergjente të Qeverisë për përkrahjen e qytetarëve dhe të bizneseve. Ajo vlerëson se adresimi i duhur i një pakoje të tillë është jetike për zbutjen e krizës në ekonomi dhe të varfërisë.

“Qeveria ka miratuar një pako stimuluese në vlerë prej 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura. Shënjestrimi i duhur kësaj pakoje [për ata që kanë më së shumti nevojë] është jetik për zbutjen e ndikimit të krizës në ekonomi dhe të varfërisë së shoqërisë”, thuhet në rsaport.

Banka Botërore thotë se është duke e finalizuar një program aktivitetesh për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e pasojave të koronavirusit. Ky program, i cili mund të tejkalojë 120 milionë euro, mes tjerash, përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente në sektorin e shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare.

“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën në këto kohë të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, ka thënë, Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

BB parashikon një rikthim të normalitetit në ekonominë e Kosovës në vitin 2021, sikurse në të gjitha shtetet tjera.  (r.m.)

Comment

*