BB: Ligji për pagat dhe shpenzimet joproduktive rrezikojnë rritjen ekonomike në Kosovë

Prishtinë, 9 tetor 2019 – Banka Botërore (BB) parashikon që rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2020 – 2021 të jetë afër 4 për qind. Ky parashikim është për 0.2 për qind më i ulët se parashikimi paraprak i këtij institucioni.

Në raportin e BB “Pasiguria në rritje” për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar të martën, thuhet se rritja ekonomike prej 4.2 për qind, siç kishte parashikuar më parë, mund të rrezikohet nga vonesat në planin e investimeve kapitale për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe kostoja më e lartë se sa që është parashikuar e Ligjit të ri për paga në sektorin publik.

Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike parashihet të jetë vetëm 1.1 për qind, sepse vonesa në miratimin e Ligjit të Buxhetit shkaktoi vonesa në ekzekutimin e  planeve të investimeve publike.

“Zgjedhjet e vitit 2019 mund të vonojnë më tej ekzekutimin e buxhetit për investime kapitale”, thuhet në raport.

BB parashikon edhe rënie të eksporteve.

“Pavarësisht rritjes së fortë të eksporteve të shërbimeve, eksportet neto pritet të bien për 1.4 për qind”, thuhet në raport.

BB tëtrheq vërejtjen se pagat më të larta në sektorin publik mund të bëjnë presion mbi pagat në sektorin privat, gjë që mund të minojë konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë.

Sipas kësaj  banke, shpenzimet për kategoritë sociale, shpenzimet joproduktive të kapitalit dhe performanca potencialisht më e ulët e ndërmarrjeve në pronësi publike mund të shkaktojnë rreziqe fiskale.

BB parashikon që konsumi privat të rritet për 2.9 për qind, falë shkallës më të lartë të huadhënies për konsum, remitencave dhe pagave në sektorin publik, ndërsa konsumi publik pritet të rritet për 1.6 për qind.

Raporti i BB, i cili hartohet dy herë në vit, përfshin zhvillimet më të fundit ekonomike, parashikimet afatmesme dhe politikat zhvillimore në Kosovë dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

(r.m.)

Image may contain: text

Comment

*