BB: Më 2018, Kosova pati rritjen më të madhe ekonomike në rajon

Prishtinë, 4 tetor 2018 – Kosova është vendi me zhvillimin më të shpejtë në rajon, me 4.2 për qind rritje ekonomike për këtë vit. Për periudhën 2019-2020 parashihet që rritja të arrijë në 4.5 për qind, por perspektiva është e cenueshme nga rreziqe të jashtme dhe të brendshme.

Kështu kanë thënë zyrtarë të lartë të Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, gjatë prezantimit të Raportit të rregullt pwr zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në raport, thuhet se rritja për rajonin vlerësohet të konsolidohet në 3.5 për qind për 2018, rritje kjo që është më e lartë, por e brishtë.

Sipas vlerësimeve, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan rritje me ritme mes 2.5 dhe 4 për qind.

Këtë vit, investimet private në Kosovë kanë shënuar rritje, ndërsa investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie.

Asli Senkal, ekonomiste në Zyrën e Bankës Botërore për Kosovë, ka thënë se Kosova e ka borxhin publik më të ulët në rajon, por ku borxh është në rritje të shpejtë. Ajo ka shtuar se deficiti fiskal parashikohet të rritet, për shkak të investimeve të larta publike në infrastrukturë rrugore.

“Kosova është vendi me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më e fortë pritet të vazhdojë me një normë rritjeje prej 4.2 për qind në vitin 2018, shumë e ngjashme me vitin e kaluar. Deficiti fiskal parashikohet të zgjerohet për shkak të investimeve të larta publike, kryesisht në infrastrukturë dhe për shkak të shpenzimeve buxhetore në mbrojtjen sociale, të cilat janë më të larta se sa pritej. Megjithatë, deficiti fiskal do të mbetet në rregullin fiskal. Rritja parashikohet të arrijë 4.5%”, ka thënë Sinkal, transmeton Koha.net.

Sa i përket papunësisë, ajo ka thënë se në bazë të të dhënave zyrtare, papunësia është rreth 30 për qind dhe ka theksuar se krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar sivjet, krahasuar me vitin 2017.

“Sa i përket punësimit, performanca e tregut të punës në Kosovë, ngjashëm me atë të rajonit, është dobësuar në vitin 2018. Nëse e shikojmë grafikonin, shohim se ajo është shumë më e dobët se në vitin 2017. Pra, në vitin 2017, Kosova ka shtuar me shume se 20 mijë vende të punës dhe gjatë kësaj kohe ka pasur më shumë njerëz që janë bërë pjesë e tregut të punës. Kjo ka çuar deri tek rritja e punësimit si edhe e papunësisë në vitin 2017. Dinamizmat kanë ndryshuar në gjysmën e parë të vitit 2018. Në dy-mujorët e parë, krijimi i vendeve të punës u ngadalësua, gjë që rezultoi me normë negative të vendeve të reja të punës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit tjetër”, ka deklaruar Sinkal.

Diego Garrido Martin, zyrtar i lartë në Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë, ka thënë se kriza financiare e paralajmëruar në tregjet ndërkombëtare mund ta prekë edhe Kosovën, prandaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të punojë në minimizimin e krizës eventuale.

“Ne shohim rrezik sa i përket ambientit të jashtëm dhe këto rreziqe lidhen me ngushtimet e pritura në tregjet financiare si dhe në normalizimin e politikës së monitorimit, si në SHBA ashtu edhe në Evropë. Kjo do të thotë se në Shtetet e Bashkuara norma e interesit është rritur, javën e kaluar, dhe kjo, natyrisht, do ta ketë efektin e vet në ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të lidhura me pjesën tjetër të botës, janë ekonomi të vogla dhe të hapura dhe natyrisht që këto përfitojnë nga zhvillimet pozitive në pjesën tjetër të botës. Kjo do të thotë se qeveritë duhet të punojnë shumë për të zvogëluar disa nga këto rreziqe që mund të ndikojnë në ekonomitë e tyre të brendshme”, ka thënë Martini.

I pyetur nga mediat për projektin energjetik “Kosova e re”, ku është përfshirë edhe Banka Botërore, Martini nuk ka dashur të komentojë. Ai ka thënë se për këtë projekt është përgjegjëse Qeveria e Kosovës. (r.m.)

Comment

*